FIER, 19 mars 2013 – Kreu i LSI-së Ilir Meta, nga qyteti i Fierit dha mesazhe të qarta për klasën politike në prag të zgjedhjeve të qershorit.
“Nuk kemi më luksin si një vend që dëshiron të ecë përpara për të rënë pre e konfliktualitetit që bëhet për një luftë të padrejtë për pushtet, vendi ka nevojë për stabilitet, për zgjedhje të drejta dhe të ndershme dhe të gjithë të respektojnë verdiktin e qytetarëve të Fierit dhe të gjithë shoqërisë, dhe për këtë është angazhuar LSI-së. Ne duhet të angazhohemi për proces model, të standardeve më të larta evropiane të të nderojë cdo shqiptar ku jeton si përfaqësues i një vendi demokratik dhe Evropian ashtu sic jeni ju në shpirtin tuaj dhe në ëndrrat tuaja", tha Meta gjatë një takimi me Lëvizjen e Gruas për Integrim.
Kreu i LSI-së tërhoqi vëmendjen ndaj deklaratave populiste që klasa politike bën për hapjen e vendeve të reja të punës me qëllim uljen e papunësisë. Sipas Metës deklarata për heqjen e tatimit mbi fitimin për bizneset do të sillte largim të investitorëve vendas dhe të huaj.
“Ndërkohë kemi filluar fushatën elektorale dhe qëllon që të dëgjojmë edhe deklarata populiste jashtë realiteti ekonomik dhe social. Njëra nga ato është se do rrisim tatimin mbi fitimin për bizneset dhe do shtojmë punësimin. Të bësh deklarata të tilla do thotë të çosh në kolaps ekonominë e vendit, t’i detyrosh investitorët e huaj apo vendas të largohen nga Shqipëria drejt Maqedonisë, drejt Serbisë apo Malit të Zi apo drejt Kosovës. Sepse dihet që në një botë të tillë ku nuk konkurrojnë vendet me vende, por rajonet me rajonet, ku këto vende kanë tatimin mbi fitimin njëlloj, t’i shtosh ato do thotë t’u tregosh derën investitorëve. Ndaj është e rëndësishme që politika të jetë e përgjegjshme me këmbë në tokë, është e lehtë të bësh opozitë dhe të jesh populist, por është përgjegjësi e madhe jo vetëm të shtosh vende të reja pune, por edhe të mos shtosh papunësinë”,- tha Meta.