RROGOZHINË-Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar të premten një takim me anëtarë dhe simpatizantë në qytetin e Rrogozhinës.  Në këtë takim ka qenë i pranishëm Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun  e Gjirokastrës, Vangjel Tavo.

Në fjalën e tij, Ilir Meta, u shpreh se LSI-ja është përpjekur gjithmonë të kontribuojë në maksimum për çtensionimin e situatës politike në vend, për të shtyrë përpara bashkëpunimin për disa procese të rëndësishme, për të shtyrë para reformat që kërkohen për integrimin evropian. Meta bëri dhe një herë thirrje për forcat politike shqiptare që të gjejnë konsensusin dhe dialogun e duhur për të përmbushur detyrimet që Shqipëria ka për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Sipas tij nuk është vonë për miratimin e tre ligjeve të rëndësishme në këtë drejtim. Kreu i LSI-së u shpreh se Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit të integrimit europian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj.

Lideri i LSI-së bëri thirrje edhe që të shmangen spekullimet nacionaliste në vend. Ai, duke vlerësuar qëndrimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, mbi këtë çështje, u shpreh se LSI-ja synon integrimin dhe jo konflikte.