TIRANE– Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta vlerëson hapjen e Ambasadës së Katarit në Tiranë, duke shprehur besimin se kjo do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve.

Gjatë një takimi me ambasadorin Zousuf Hassen AL-Saai, Meta nënvizoi se Shqipëria dhe Katari duhet të thellojnë kontaktet dhe shkëmbimet tregtare e ekonomike, në mënyrë që ato të pasqyrojnë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve. 

Meta u shpreh se duhet punuar në mënyrë konkrete për rritjen e investimeve nga Katari, duke vlerësuar potencialet e mëdha që ofron Shqipëria në fushat e turizmit, energjisë dhe bujqësisë.

Ndërsa ambasadori AL-Saai shprehu kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Katarit dhe Shqipërisë dhe e njohu Meten me punën që po bëhet në drejtim të intensifikimit të kontakteve mes dy vendeve, duke theksuar njëkohësisht mundësitë që investimet madhore të Katarit ofrojnë për kompanitë dhe forcën e punës shqiptare.