Ish-presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë drejtorin e Doganave, Genti Gazheli, pas skandaleve të njëpasnjëshme të publikuara në media.

Meta i bëri thirrje Ramës që të heqë dhe patronazhistës që janë te Doganat dhe te Tatimet.

“Qytetarët shqiptarë ishin ata që u mbështetën më pak nga qeveria gjatë krizave të kaluara, si gjatë pandemisë ashtu edhe gjatë krizës së rritjes së cmimeve.

Ajo që është edhe më e qartë dhe e papranueshme është se qeveria vijon të paguajë dhjetëra miliona euro për aferën e inceneratorëve. Vazhdon të marrë borxhe për të mbështetur oligarkët me të cilët është e lidhur. Kjo situatë provohet edhe nga skandalet më të fundit siç janë edhe doganat shqiptare. Drejtimi i doganave nga kontrabandistë, nepotizimi për vendet e punës, tregon qartë se çdo sektor i qeverisjes është kthyer në sektor abuzimi.

Prandaj dua t’i bëj thirrje Ramës të heqë urgjentisht nga doganat gjithë bandën e patronazhistëve. Situata në dogana është edhe më e rëndë. Të ardhurat janë më pak se në çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor. Janë 20% më pak se në Maqedoninë e Veriut. Kjo qeveri ua bën qytetarëve edhe më të pashpresë të ardhmen në këtë vend.“, tha Meta.