TIRANE, 17 shkurt 2013 – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, uroi sot popullin kosovar për 5 vjetorin e pavarësisë së vendit.

"Bashkë me të gjithë shqiptarët kudo që gjenden, sot festojmë një Kosovë të pavarur, një Kosovë të njohur prej 98 shtetesh, një Kosovë më të konsoliduar me institucione demokratike, me një shtet që forcohet nga viti në vit, një Kosovë që garanton të drejtat e të gjitha pakicave, një Kosovë konstruktive në rajon, dhe mbi të gjitha një Kosovë me një shoqëri të lirë, multi-etnike dhe evropiane",- thuhet në urimin e kreut të LSI-së, Ilir Meta. 

Në të njëjtën kohë Meta thekson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një proces i rëndësishëm për të dy vendet ballkanike.

"Dua të ripërsëris mbështetjen tonë për dialogun që ka nisur midis Kosovës dhe Serbisë, si një proces tejet i rëndësishëm dhe pozitiv për të ardhmen e qytetarëve të të dy vendeve, njëkohësisht të vlerësoj kurajën dhe përgjegjshmërinë e lartë politike të treguar nga qeveria dhe politikanët në Kosovë. Normalizimi i marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, do të ndikojë në stabilitetin dhe sigurinë e tërë rajonit, dhe si i tillë ai duhet mbështetur dhe ndihmuar nga të gjithë faktorët e rëndësishëm politikë, si në Shqipëri, në Kosovë, ashtu edhe në Serbi",- thotë Meta në deklaratë.