Presidenti i Republikës, Iir Meta ka vlerësuar ditën e sotme me anë të një ceremonie solemne dy mjekët e shquar kirurgë: krijuesin e shkollës së kirurgjisë shqiptare, Prof. Petro Cani si dhe themeluesin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë Shqiptare, Prof. Petrit Gaçe me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Meta dekoroi “babain e kirurgjisë shqiptare”, Prof. Petro Cani (pas vdekjes), me motivacionin: “Me vlerësim për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë, që nga vendosja e themeleve të kirurgjisë e deri në përgatitjen e kirurgëve të parë në Shqipëri. Me mirënjohje për humanizmin e jashtëzakonshëm dhe gjurmët e pashlyera, që ka lënë në historinë e mjekësisë sonë, si kirurg i talentuar dhe pedagog i shkëlqyer”.
Ndërsa Prof.Petrit Gaçe u çmua (pas vdekjes) nga Presidenti Meta, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë, si themeluesi i kardiokirurgjisë shqiptare e deri në formimin profesional të kirurgëve e kardiokirurgëve në Shqipëri. Me mirënjohje të thellë për humanizmin e jashtëzakonshëm dhe gjurmët e pashlyera që ka lënë në historinë e mjekësisë sonë, si kirurg i talentuar e novator dhe pedagog i jashtëzakonshëm”.
Postimi i plotë i Metës:
Privilegj i veçantë të vlerësoja sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dy nga korifejtë e mjekësisë dhe kirurgjisë shqiptare, Prof. Petro Cani dhe Prof. Petrit Gaçe, humanistë të jashtëzakonshëm, që gjithë jetën e tyre ja përkushtuan shërbimit ndaj qytetarëve, duke spikatur me profesionalizimin, ndershmërinë dhe kontributin e vyer për zhvillimin cilësor të mjekësisë shqiptare.
Prof. Cani e lindi kirurgjinë në male për ta zbritur atë, pas Çlirimit, në pavione dhe salla operacioni ku shërbeu mbi tre dekada, për t’u shndërruar në një simbol të mjekësisë tonë, së cilës i dha identitetin, lavdinë dhe krenarinë.
Akti i tij i guximshëm, i prerjes së këmbëve të ngrira të një partizani, me sharrë të zakonshme, është një nga simbolikat më të fuqishme të sakrificave të Luftës sonë Nacional-Çlirimtare.
Me vullnetin, talentin dhe aftësinë e spikatur, Prof. Petro Cani i dha kirurgjisë shqiptare emrin e tij, duke u kthyer në “babain” e saj.
Themelues i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në vendin tonë, Prof. Petrit Gaçe ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e mjekësisë sonë, si kirurg i talentuar e novator dhe pedagog i shquar.
I dallur për vetëmohimin dhe dedikimin maksimal ndaj pacientëve, profesionalizmi, korrektësia dhe ndershmëria e tij kanë ngelur proverbiale, aq sa me të drejtë ai kujtohet sot, si një ndër personalitetet më të shquara të historisë botërore të kirurgjisë së zemrës.
Trashëgimia e vyer, që lanë pas këta dy humanistë të mëdhenj, është frymëzuese dhe rruga e duhur që duhet ndjekur nga mjekët e rinj shqiptarë.





