Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” themeluesin e arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka (pas vdekjes), me motivacionin:

“Në vlerësim të kontributeve të çmuara si arkeolog i parë shqiptar dhe themelues i shërbimit arkeologjik shqiptar, i gërmimeve arkeologjike shqiptare në Apoloni dhe Muzeut Arkeologjik Kombëtar.Me mirënjohje shtetërore për punën e palodhur e tepër të vlefshme si specialist i numizmatikës, duke krijuar kabinetin e parë numizmatik me monedha antike ilire, si dhe për botimet e tij të vyera shkencore “Probleme të numizmatikës ilire”dhe “Monedhat antike të Dyrrahut dhe Apolonisë.”

Si dhe arkeologun e shquar francez Leon Rey, me motivacionin:”Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e veçanta në themelimin e arkeologjisë dhe muzeologjisë shqiptare, duke krijuar, nëpërmjet gërmimeve dhe zbulimeve të tij të rralla, Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, si dhe duke çelur rrugëtimin shkencor për botimet periodike shqiptare në këtë fushë. Gjithashtu, në vlerësim të kontributeve të pamohueshme në drejtim të thellimit dhe forcimit të miqësisë historike francezo-shqiptare.”

Gjithashtu Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” zotin Jean Gabriel Rey, “Me mirënjohje për ruajtjen e trashëgimisë së patjetërsueshme shkencore të arkivit të pasur të gërmimeve dhe zbulimeve të rralla arkeologjike të Leon Reyt në Apoloni, si dhe me vlerësim për pasurimin dhe thellimin e mëtejshëm të miqësisë francezo-shqiptare. Në vlerësim të meritave si autor i librit ‘Perënditë kishin të drejtë’ dhe si bashkautor i filmit me të njëjtin titull, që përbëjnë dokumente të çmuara të përkushtimit të Leon Reyt ndaj Apolonisë dhe qytetërimit antik të vendit tonë.”