Presidenti i vendit Ilir Meta ka nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, portierin e spikatur durrsak Vladimir Ajazaj (pas vdekjes).
Presidenti Meta, dekoroi Vladimir Ajazajn “Në shenjë vlerësimi në kontributin dhe rezultatet e larta në futboll, si portier tek Shkëndija, Lokomotiva e Durrësit dhe në ekipet tona kombëtare. Me mirënjohje për mjeshtërin e tij të treguar gjatë veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare, si trajner i përkushtuar në zhvillim cilësor të futbollit duke spikatur si një figurë e dashur dhe e respektuar nga mbarë opinioni sportiv shqiptar.”
Gjatë fjalës së tij në cermonin solemne që u mbajt në ambientet e hotel Artur, në Currila, Meta tha se emri i futbollistit durrsak ka mbetur dhe do të kujtohet gjithmonë si një legjendë e “portës”, së Durrësit por edhe si një qytetar model, mësues e trajner i përkushtuar.
“Është privilegj për mua që të jem sot sëbashku me ju, për të nderuar të paharruarin Vladimir Ajazajn, portierin e sukseshëm të Lokomotivës dhe Shkëndijës, por edhe të ekipeve tona përfaqësuese. Pavarësisht se Ladin nuk e kemi sot midis nesh, emri i tij ka mbetur dhe do të kujtohet gjithmonë si një legjendë jo vetëm e portës së Durrësit por njëkohësisht edhe si qytetarë model i Durrësit që dallohet për qytetarinë në të gjithë vendin, njëkohësisht si mësues shumë i dashur dhe si trajner i përkushtuar. Ai i takon asaj gjenerate të artë të viteve 70-90, ku Ajazaj ka qenë dhe mbetet një nga personalitet më të dashur më të spikatur dhe më popullor jo vetëm për sportdashësit e Durrësit. Karrierën e tij sportive ai e nisi në vitin 1968 si pjesë e grupit të parë të Shkollës së Mjeshtëris Sportive. Më pas ai u rikthye në qytetin e Durrësit ku mbrojti për shumë vitet portën e Lokomotivës duke u bërë edhe shëmbull frymëzues për pasardhësit e tij në portën durrsake. Vladimir Ajazaj ka qenë pjesë e stafit teknik të kombëtares. Ai ka qenë dhe mbetet një personalitet i futbollit durrsak dhe kombëtar, i njohur dhe i vlerësuar në arenën ndërkombëtare dhe kombëtare. Shembulli dhe arritjet e tij kanë qenë një burim frymëzimi edhe për sportistët dhe trajnerët më të rinj për të ndjekur këtë rrugë të sukseshme”, tha ndër të tjera Meta.