TIRANË – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një konferencë për mediat, e ka cilësuar një mundësi të artë vizitën e komisionerit për zgjerim në BE, Stefan Fyle, i cili ditën e hënë pritet të vizitojë Tiranën. Një ditë më parë komisioneri Fyle i bëri apel edhe njëherë politikës shqiptare për të votuar 3 ligjet. Fyle pritet që në takimet që do të zhvillojë të hënën në Tiranë me aktorët kryesorë të politikës do të përpiqet të mundësojë gjetjen e një zgjidhje për votimin e tre ligjeve për integrimin. 

Meta tha gjatë konferencës për shtyp se duhet të arrihet një marrëveshje, me qëllim që vendit t’i hapet drita jeshile për të marrë statusin para zgjedhjeve të 23 qershorit. 

“Është një lajm i mirë që komisioneri Fyle vjen këtu për të nxitur dialogun mes palëve, për të favorizuar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Kjo mundësi duhet të mirëadministrohet nga politika shqiptare, pasi gjetja e një konsensusi tani rrit mundësinë për marrjen e statusit para zgjedhjeve të 23 qershorit”,- tha Meta.