Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur akuzave të Prokurorisë lidhur me pasurinë e tij, duke thënë se nuk ka asnjë qindarkë dhe asnjë metër katror pasuri të paligjshme.

Në një letër të lexuar nga Tedi Blushi, Meta thotë se pasuria e tij është 87 milionë lekë për vitet 1995- 2023, teksa është shprehur i hapur të intervistohet në burg për këtë çështje.

“Lidhur me çështjen e pasurisë, dua të theksoj se akuzat e prokurorëve janë të pavërteta dhe të bazuara në falsifikim. Vajza ka siguruar ekspertizën financiare që vërteton se pasuritë e mia gjatë këtyre viteve (1995-2023) janë 87 milionë lekë të reja. Ky hetim ndaj meje ka rezultat të qartë, 0 qindarkë e paligjshme nga unë dhe 0 metër katror e paligjshme. Nëse keni dyshime, mund të vini t’ju jap sqarime në burgun 313. Edhe në Rusi lejohet që të intervisohen politikanët e burgosur, prandaj nuk përbën asnjë lloj problem”, thuhej në letrën e Metës.

Gjatë konferencës për shtyp Blushi tha se edhe pse Avokati i Popullit ka bërë një raport dhe ka dhënë rekomandime për rastin e Metës, asnjë prej tyre nuk është zbatuar deri më tani.

“S’është marrë asnjë masë. I jam drejtuar Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, por nuk ka pasur asnjë përgjigje. Asnjë rekomandim i Avokatit të Popullit nuk është zbatuar”, tha Blushi.

Ai shtoi se komunikimi me Metën është i pamundur, pasi SPAK nuk lejon takime as me deputetë dhe eurodeputetë, ndërkohë që ligji dhe konventat ndërkombëtare garantojnë këtë të drejtë.

“Më nuk kontaktoj dot me zotin Meta. As deputetët, as eurodeputetët nuk mund të takohen me të. Edhe tek ajrosja janë vendosur kufizime; të gjithë të paraburgosurit e bëjnë çdo ditë, kurse zoti Meta është i vetmi që nuk e bën”, u shpreh Blushi.