TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot Komitetin Drejtues Kombëtar, i cili pritet të diskutojë për zgjedhjet e 23 qershorit.
Në fjalën e tij hyrëse, kreu i LSI falënderoi të gjitha strukturat e kësaj partie, për angazhimin e deritanishëm, ndërsa i ftoi ato të punojnë së bashku për të arritur sukses në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Vendi në 23 qershor do shkojë drejt zgjedhjeve është një moment i rëndësishëm politik dhe kombëtar. Duhet të shkojmë me një demokraci të konsoliduar, pasi zgjedhjet mbeten test edhe për integrimin”, sic tha Meta.
“Është tepër me rëndësi pjesa e administrimit zgjedhor, t’i përmbahemi ligjit dhe të arrijmë standardet në zgjedhje. Në këtë rast ftojmë forcat e tjera të mos paragjykojnë zgjedhjet”, tha Meta më tej.
Sipas Metës, LSI synon një përfaqësim sa më dinjitoz në këto zgjedhje.
“Jam i bindur që 23 qershori do jetë një ditë plot sukses për LSI, për këtë jam i sigurt. Më shumë më preokupon që 23 qershori të jetë një sukses për të gjithë vendin, kjo s’do të thotë më shumë vota për LSI, pasi askush nuk mund të vërë dorë mbi votat e LSI. Por duam që Shqipëria të jetë vend më i qetë, më i stabilizuar që sjel shpresë e besim jo vetëm tek qytetarët por edhe tek ndërkombëtarët”, shtoi ai.
Meta apeloi edhe njëherë për votimin e tre ligjeve, me qëllim që procesi i integrimit t’i afrohet Shqipërisë, sic komentoi ai.