I pyetur mbi këto problematika deputeti i PD-së, Osman Metalla thotë se krijimi i kushteve në port natyrisht që është detyrë e Autoritetit Portual dhe ai e ka bërë këtë në mënyrën më të mirë, ndërsa sa i përket kushteve dhe cilësisë së shërbimit të trageteve kjo është çështje e tregut, e cila kërkon zgjidhje.

Zoti Metalla, gjatë javës së shkuar u shënua një incident detar, ku një prej trageteve ku udhëtonte edhe presidenti tashmë i larguar, Bamir Topi, pësoi avari në det. Sa të sigurt janë tragetet që lidhin Durrësin me brigjet italiane?

Unë besoj se incidenti që ndodhi në tragetin ku rastisi të udhëtonte dhe Presidenti i Republikës ishte një avari që rëndom ndodh në praktikën detare. Natyrisht që të tilla avari nuk cënojnë sigurinë e lundrimit të trageteve që lidhin portin e Durrësit me portet italiane. Unë e them me bindje se tragetet që prekin portet shqiptare në të njëjtën kohë prekin dhe portet e Komunitetit Europian ndaj dhe sikur për një moment të mendojmë se këto tragete nuk kontrollohen sa duhet nga autoritetet shqiptare, gjë që në fakt nuk është e vërtetë, nuk do të lejoheshin të lundronin në portet italiane. Kështu që çdo aludim mbi sigurinë e këtyre trageteve mendoj se nuk është i bazuar.

Edhe pak muaj më parë u shënua një tjetër incident ku trageti ‘’Ankara’’ fundosi një anije me flamur turk. Në atë incident, falë motit të mirë trageti nuk rrezikoi të mbytej…

Incidenti që ndodhi disa muaj më pare ku humbën jetën 8 marinarë turq sipas të dhënave që unë kam marrë nga autoritetet portuale, ishte nje aksident detar, i cili si shkak kryesor kishte gabimin njerëzor. Kjo do të thotë se ky incident nuk erdhi si pasojë e defekteve të ndryshme teknike, mosfunksionimit të aparaturave apo sepse trageti ishte nën standarte, por erdhi kryesisht si pasojë e neglizhencës njerëzore. Me këtë dua të them përsëri se nuk është çeshtje standartesh, por më shumë është gabimi njerëzor ai që solli këtë tragjedi me pasojë humbjen e jetës së 8 marinarëve. Prandaj unë them që është e rëndësishme që mjeti detar të jetë i mirëpajisur me të gjithë aparaturat lundrimore, të jetë i ekuipazhuar me detarë të mirëkualifikuar dhe të jetë brenda standarteve dhe kërkesave të shoqërive klasifikuese, të cilat kontrollojnë dhe çertifikojnë këto mjete përsa i përket përmbushjes së standarteve tekniko-lundrimore.

Tragetet që kanë hyrë këtë sezon veror në linjën e Durrësit janë të amortizuar dhe ankesat e pasagjerëve janë të shumta në lidhje me plotësimin e kushteve  në shërbimin hotelier, por edhe në paketën higjenike. Pse vërehen gjithnjë këto probleme në kohë fluksi?

Unë besoj se tragetet sikurse e thamë dhe më lart janë mjete të cilat nuk lejohet të lundrojnë nëse nuk përmbushin kërkesat minimale te parashikuara në konventat detare ndërkombëtare të IMO (Organizata Detare Ndërkombëtare) dhe ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës) si dhe konventa të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë në det. Nuk mund të ndodhë që tragete të cilat nuk përmbushin standartet të lejohen të lundrojnë.

A mendoni se pas investimit prej 22 milionë euro për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve, kompanitë private, me tragetet që kanë në dispozicion e prishin imazhin e portit të Durrësit?

Terminali i ri i trageteve është një investim mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Natyrisht ju e dini mirë se si ka qënë gjendja e terminalit të trageteve dhe si vuanin qytetarët shqiptarë dhe ata të huaj që kalonin nëpërmjet portit të Durrësit. Dhe kjo bëhej akoma më problematike në sezone piku siç jemi tani. Tashmë ne kemi një terminal të ri, modern i cili unë e them pa mëdyshjen më të vogël është më i mirë se të gjithë terminalet e rajonit dhe ne si qytetarë të Durrësit jemi mjaft krenarë që kemi një terminal të tillë, i cili për nga cilësia e shërbimeve konkuron dhe me aeroportin e Rinasit. Ndërsa përsa i përket cilësisë së trageteve mendoj se kjo është çështje e tregut.Natyrisht që një traget më i mirë, më komod, dhe më i shpejtë ka dhe një kosto më të lartë operimi dhe si pasojë dhe çmimi i udhëtimit me këtë traget do të ishte më i lartë se sa me një traget tjetër që do të ofronte kushte më pak komode. Zgjedhja pastaj i përket qytetarit, ai zgjedh të udhëtojë me atë mjet që i përmbush më mirë nevojat e tij dhe njëkohësisht që i ofron dhe çmimin më të pranueshëm të udhëtimit.

A ka ardhur koha që ndaj kompanive private të merren masa për t’i detyruar të plotësojnë kushtet e lundrimit për pasagjerët?

Është më se normale që në ekonominë e tregut, ai që ofron shërbimin dëshiron të fitojë sa më shumë duke shpenzuar sa më pak. Dhe natyrisht që e gjitha kjo bie në kurriz të përdoruesit të shërbimit, pra të pasagjerëve. Nëse këto operatorë do të ishin të lirë dhe nuk do të kontrolloheshin ndonjëherë pikërisht kjo gjë do të ndodhte, do të investonin sa më pak mundësisht fare për të maksimizuar fitimin e tyre. Në të gjithë portet e Komunitetit Europian ekzistojnë mekanizma që njihen me emrin e Port State Control (Kontrolli portual shtetëror), i cili në themel te punës së tij ka pikërisht kontrollin e përmbushjes së këtyre standarteve nga ana e mjeteve lundruese. Detyrimisht dhe tragetet janë subjekt i këtyre kontrolleve dhe jo rrallëherë ndodh që këto tragete të bllokohen, kur konstatohet shkelje e këtyre standarteve deri në plotësimin e tyre.

Çmimet e biletave të ushëtimit janë rritur me 30% gjatë dy javëve të fundit, ndërsa në tragete të veçantë një kabinë e klasit të parë ofronte kushte skandaloze. Krevatët të prishur dhe dyshekëve ju kishin dalë sustat. A është normale kjo situatë?

Në fakt nëse do të shikonim çmimet e biletave krahasuar me një vit më parë vërehet një ulje e dukshme këtë sezon. Megjithëse për këtë gjë nuk  mund t’iu përgjigjem saktësisht, pasi nuk është se e kam ndjekur realisht  se si ka shkuar grafiku i çmimit të biletave të tragetit në kohë të ndryshme. Nga një vëzhgim i shpejtë më rezulton se në vartësi të linjës që zgjedh mundet që një pasagjer që udhëton nga Durrësi në Bari të udhëtojë së bashku me mjetin e tij në një kabinë normale me një biletë që varion nga 70 deri 100 Euro. Gjithsesi mendoj se çmimi i biletës është subjekt dhe i mekanizmit të tregut dhe fakti që në dy vitet e fundit biletat kanë pësuar rënie të ndjeshme është tregues i funksionimit të mekanizmit të konkurencës si ndërmjet linjave të ndryshme detare, por dhe të konkurimit të linjave ajrore. Natyrisht, është detyrë e autoriteteve shtetërore që të mos lejojnë çmime abuzive.