Projektligji për peshkimin synon që të përmirësojë ligjin që është në fuqi që nga viti 1995. Peshkimi aktualisht po vuan nga mungesa e infrastrukturës dhe kërkimit shkencor për rezervat peshkore, porteve etj. Ky projektligj ka për qëllim shfrytëzimin maksimal të burimeve duke përcaktuar sezonet e gjuajtjes së peshkut

Shteti parashikon mbështetje maksimale për flotën e peshkimit, mbështetje për pronarët e mjeteve të këtij sektori dhe investime në favor të tyre, pa harruar kompensimin social dhe ekonomik me qëllim diversifikimin e aktivitetit dhe promovimin e shumëpunësimit për peshkatarët. Kështu do ta përcaktonte projektligjin e ri të peshkimit deputeti i Durrësit Osman Metalla. Sipas tij, në projektligj përcaktohet se mjetet lundruese, subjektet dhe shoqatat e peshkimit do të jenë të regjistruara në një regjistër të posaçëm. Po kështu do të ndalohet e drejta për dhënien e lejeve të peshkimit për të huajt në ujërat shqiptare. Krahas ndalimit të zënies dhe tregtimit të llojeve të ndryshme të peshqve, ligji i ri parashikon penalizime dhe sanksione të forta për ata që përdorin lëndë plasëse apo kimike për zënien e peshqve. Në të kaluarën, praktika të tilla e kanë dëmtuar mjaft florën dhe faunën nënujore. 

Cilat janë impaktet që sjell projektligji i ri për peshkimin?

Mendoj se është një projektligj që krijon standarte të reja europiane në këtë sektor. Projektligji përfshin peshkimin për subjekte private, individët e grupuar pranë shoqatave të peshkimit, qytetarët që gjuajnë për argëtim dhe njësitë tregtuese të këtij produkti. Të gjithë këto kategori do të operojnë me rregulla të reja. Industria e peshkimit në vend do të operojë me standarte europiane dhe një nga kushtet është përafrimi i legjislacionit. Komisioni parlamentar i veprimtarive prodhuese diskutoi më parë projektligjin “Për Peshkimin”, në të cilin janë përcaktuar rregullat e reja se si do të funksionojë industria e peshkimit, zonat ku mund të peshkohet, format e peshkimit si dhe penalizimet për shkeljen e këtyre rregullave.

Cilat ishin arsyet që e bënë të domosdoshëm këtë projektligj përveç përafrimit të legjislacionit me BE-në? 

Peshkimi aktualisht po vuan nga mungesa e infrastrukturës dhe kërkimit shkencor për rezervat peshkore, porteve etj. Ky projektligj ka për qëllim shfrytëzimin maksimal të burimeve duke përcaktuar sezonet e gjuajtjes së peshkut. Industria shqiptare e peshkimit duhet që t´i nënshtrohet një menaxhimi të ri nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm përmes rregullave. Projektligji për peshkimin synon që të përmirësojë ligjin aktual që është në fuqi që nga viti 1995. Ai përcakton format dhe mënyrat e gjuetisë së peshkut. Sipas këtij projektligji ndalohet peshkimi në zonën e portit, në rrugët e hyrjes dhe në vendet e ankorimit. Po kështu në projektligj theksohet se zënia, mbledhja apo tregtimi i peshkut me eksplozivë, substanca kimike apo me çdo mënyrë tjetër që i vret apo i intoksionon ato është e kundraligjshme.

Çfarë parashikohet në projektligj përsa i përket politikave proteksioniste për zhvillimin e këtij sektori dhe mbrojtjen e rezervave ujore?

Shteti parashikon mbështetje maksimale për flotën e peshkimit, mbështetje për pronarët e mjeteve të këtij sektori dhe investime në favor të tyre, pa harruar dhe kompensimin social dhe ekonomik me qëllim diversifikimin e aktivitetit dhe promovimin e shumëpunësimit për peshkatarët. Po kështu parashikohet mbështetje edhe për peshkimin artizanal. Shteti do të mbështesë peshkimin dhe për mbrojtjen e llojeve të veçanta të peshkut. Në rast se vihen re rreziqe që kërcënojnë burimet e gjalla ujore apo ekosistemin atëhere merren masa urgjente.

Mjetet lundruese, subjektet dhe shoqatat e peshkimit do të jenë të regjistruara në një regjistër të posaçëm. Po kështu i ndalohet e drejta për dhënien e lejeve të peshkimit për të huajt në ujërat shqiptare. Një nga nenet e rëndësishëm është dhe ai që parashikon ndalimin e peshkimit, mbajtjen ne bordin e anijes apo hedhjen në treg të llojeve të tilla peshqish si krani i lumit, blini, peshkaqenë, lopa e detit, koralet, sfungjerët, gjitarët e detit, breshka e detit etj. Po kështu një vëmendje e veçantë i kushtohet peshkimit argëtues, i cili nuk duhet që të pengojë apo rrezikojë peshkimin tregtar. Sanksionet për shkeljen e rregullave arrijnë deri në 1 milion lekë.

Çfarë impakti mendoni se do të sjellë porti i ri i peshkimit në Durrës?

Ndërtimi i këtij porti, së pari do të rriste sigurinë navigacionale në port, së dyti do të ulte mundësinë e ndotjeve dhe së treti do të siguronte një infrastrukturë më të mirë mbështetëse për aktivitetin e peshkimit.

A nuk duket se ka ardhur koha që veç peshkimit të mendohet dhe për një port jahtesh?

Pavarësisht moratoriumit të skafeve që ne akoma e kemi në fuqi, kemi vënë re se edhe verën që kaloi, numri i mjeteve rekreative që kanë ardhur në Durrës këtë vit ka qenë më i madh se sa vitet e tjera. Natyrisht kjo shpjegohet dhe me atë imazh pozitiv që turizmi shqiptar ka ndërtuar vitet e fundit, pasi tashmë Shqipëria është shndërruar në një destinacion të ri të kërkuar turistik. Mirëpo, në të gjitha rastet, jahtet janë akostuar në të njëjtin port apo në të njëjtën kalatë ku akostohen anijet e ngarkesës. Së pari, një kalatë e tillë nuk është e përshtatshme për jahtet, duke filluar nga lartësia mbi nivelin e detit që nuk është e përshtatshme, nuk ofron shërbimet e duhura që kërkon një jaht (duke filluar që nga furnizimi me energji elektrike apo me ujë) si dhe kushtet e tjera që ofron një port jahtesh apo marine siç quhen rëndom portet e jahteve. Kështu që unë mendoj se ndërtimi i një porti jahtesh tashmë është shndërruar në një domosdoshmëri dhe për mua, një qytet si Durrësi, me atraksione arkeologjike, kulturore apo natyrore të pafundme, nuk mund të përfytyrohet pa një port jahtesh. Porti i jahteve nuk është një luks, por një element i domosdoshëm i funksionimit të qytetit që në fakt i mungon Durrësit.