Në një prononcim për gazetën “Dyrrah“ deputeti Osman Metalla komenton zhvillimet më të fundit politike, që nga çështje që kanë të bëjnë me Presidentin e Republikës dhe kërkesën e maxhorancës për shkarkimin e nënkryetarit të KLD, deri te ngjarjet më të fundit në qytetin bregdetar të Durrësit
Z. Metalla, çështja e zgjidhjes së presidentit të ri mbetet një axhendë e rëndësishme e këtij viti. Ne ç’fokus e shikoni mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe a mendoni se do të ishte një domosdoshmëri zgjedhja e një presidenti konsensual?
Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës ngelet një nga ngjarjet më madhore në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Ashtu sikurse e parashikon dhe Kushtetuta e vendit, Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe njëkohësisht përfaqëson unitetin e popullit. Nisur nga kjo, mazhoranca është e përkushtuar që në procesin e përzgjedhjes së kandidaturës së presidentit të ri të ofrojë një figurë e cila të plotësojë këtë kriter kaq të rëndësishëm të unitetit të popullit, dhe përpos kësaj është krejtësisht e angazhuar që procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës të jetë një proces krejtësisht kushtetues dhe në përputhje me parashikimet e nenit 87 të Kushtetutës, ku përcaktohet si mënyra e propozimit të kandidaturës së Presidentit, ashtu edhe procedura e zgjedhjes dhe votimit të Presidentit të ri. Vetë Kushtetuta është produkt i një konsensusi të gjerë politik, si rrjedhojë dhe zgjedhja e Presidentit sipas parashikimeve kushtetuese është produkt i po atij konsensusi. Ndaj dhe ne jemi të vendosur që në zgjedhjen e presidentit të respektojmë Kushtetutën.
Nga ana e mazhorancës ka pasur akuza se Presidenti aktual po punon për ngritjen e një force të re politike. A mendoni se ka prova të mjaftueshme në lidhje me këtë?
Unë nuk besoj se është mazhoranca ajo që e ka akuzuar Presidentin për ngritjen e një force të re politike, por është vetë Presidenti që në mënyrë eksplicite ka deklaruar se do të jetë pjesë e një force të re politike. Njëkohësisht dhe njerëz afër presidentit kanë deklaruar që së shpejti do të krijohet një forcë e re politike, e cila do t’i përkasë qendrës së djathtë. Mendoj se krijimi i një partie politike, ndërkohe që ushtrohet mandati i Presidentit të Republikës, nuk është në linjë me Kushtetutën e vendit.
Duket se shigjetat e maxhorancës nuk kanë shenjestruar vetëm Presidentin, por dhe njerëzit e afërt të tij. Si e komentoni ju iniciativën ligjore për shkarkimin e z. Spahiu?
Unë besoj se nisma ligjore e mazhorancës për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së është një nismë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit. Prej kohësh n/kryetari I KLD-së, z. Spahiu, është duke u marrë aktivisht me drejtimin e një lëvizjeje politike, çka në vetvete përbën një shkelje te parimit të ndarjes së pushteteve. Natyrisht që në demokraci është normale që secili te ketë bindjet e veta politike, por për aq kohë sa ushtrohet një funksion kushtetues, nuk mundet që të zhvillohet aktivitet politik. Lirimi nga funksionet kushtetuese do t’i jepte të gjithë hapësirën për t’u marrë me lëvizjen e tij politike, ndaj dhe personalisht e konsideroj me vend një nismë të tillë.
Njerëz afër presidentit kanë deklaruar që së shpejti do të krijohet një forcë e re politike, e cila do t’i përkasë qendrës së djathtë. Mendoj se krijimi i një partie politike, ndërkohe që ushtrohet mandati i Presidentit të Republikës, nuk është në linjë me Kushtetutën e vendit.
Si e testoni qëndrimin e deritanishëm të opozitës përsa i përket ligjeve të tilla si ai i Gjykatës Administrative, Kodi Penal, apo ai Civil. A mendoni se ekziston fryma e duhur për të konkluduar këtë proces?
Unë besoj se qëndrimi i tanishëm i opozitës nuk është një qëndrim surprize, por një qëndrim krejtësisht në linjë me qëndrimin bllokues që kjo opozite ka mbajtur përgjatë të gjithë këtyre viteve. Sidomos në ato momente të rëndësishme kur në kancelaritë europiane është diskutuar fati i Shqipërisë, opozita vazhdimisht ka intensifikuar aksionin e saj antiintegrim. I tillë ishte qëndrimi i opozitës kur diskutohej liberalizimi i vizave, madje besoj se dhe juve ju kujtohet, pikërisht ne ato moment opozita jo vetëm që nuk u bashkua për të kontribuuar në procesin e liberalizimit të vizave, por si për të protestuar për këtë gjë kaq të rëndësishme për shqiptarët, intensifikoi protestat dhe radikalizoi qëndrimet saj. Tashmë që përsëri bashkëpunimi politik në kuvend si dhe miratimi i ligjeve me 3/5 është një kërkesë e rëndësishme për marrjen e statusit të vendit kandidat, kjo opozitë përsëri deklaron se marrëveshja e 14 nëntorit nuk është më në fuqi, duke bërë kështu të ditur se nuk do t’i votojë këto ligje, duke mos i hapur rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. E gjitha kjo bëhet vetëm e vetëm se Edi Rama vazhdon të jetë në opozitë dhe për këtë qëllim kërkon t’i penalizojë edhe shqiptarët, duke mos i çelur rrugën reformave integruese të vendit.
Gjatë këtij viti pritet që të intensifikohet procesi i privatizimeve të shërbimeve në portin e Durrësit. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë proces, në kushtet kur në një pjesë te porteve europiane nuk është aplikuar kjo skemë?
Privatizimi i shërbimeve është pjesë e strategjisë së zhvillimit portual të zhvilluar dhe nga ana e Bankës Botërore. Porti i Durrësit, i cili ka qenë një port krejtësisht pronë shtetërore, ndër vite i është nënshtruar një sërë reformash, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e performancës dhe efektivitetit portual. Objektivi final i kësaj strategjie është që porti i Durrësit të shndërrohet nga një port shtetëror në një port ku shteti të ngelet pronar toke dhe të gjitha shërbimet të jenë të privatizuara. Ndaj dhe ajo çka diskutohet sot për portin e Durrësit është krejtësisht në linjë dhe me vetë strategjinë e zhvillimit të këtij porti, si dhe rekomandimet e të gjithë konsulentëve që kanë kontribuuar në zhvillimin e këtij porti. Për më tepër dhe në kushtet e krizës ekonomike, një gjë e tillë është e këshillueshme. Aktualisht porti i Durrësit është në fazën e portit të veglave (tool port) dhe po shkon drejt fazës finale që është port-pronar toke (landlord port).
Ndalemi pak tek ngjarja e fundit në Durrës. Një anije-cisternë u mbyt fare pranë bregdetit të Durrësit. Imagjinoni sikur kjo anije të kishte 3000 tonë benzinë në depo. A duhet të jetë ky një rast kambanë alarmi për të perfeksionuar sistemin e ndërhyrjes në emergjenca me mjete moderne për shuarjen e zjarreve apo shpëtimin e njerëzve?
Së pari më duhet të them se të tilla ngjarje nuk janë ngjarje që nuk kanë ndodhur ndonjëherë apo që nuk do të ndodhin në të ardhmen. Për ironi të fatit, po atë ditë që ndodhi mbytja e anijes në Porto Romano, edhe ne Korenë e Jugut ndodhi një ngjarje e njëjte për nga format dhe përmasat. Kështu një tanker me tonazh 4190T, i cili kishte shkarkuar 3500 tonë benzinë në një port koreanojugor, me një ekuipazh prej 16 detarësh, në momentin që ekuipazhi po bënte pastrimin e tankerave të ngarkesës, shpërthen duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe humbjen e 8 anëtarëve të tjerë të ekuipazhit. Edhe ngjarja e Porto-Romanos pati pothuaj të njëjtin skenar. Anija e shkarkuar, duke bërë pastrimin apo punime në tankerat e ngarkesës, shpërthen dhe mbytet. Duhet të përmend një fakt lidhur me rastin e ngjarjes së Porto-Romanos: ndërhyrja për shpëtimin e ekuipazhit ka qenë e menjëhershme falë vëzhgimit të vëmendshëm që i është bërë ngjarjes nga ana e personelit të sigurisë së Romano Port. Ka qenë vetë pronari i Romano Port i cili, duke e ndjekur situatën nga afër, ka urdhëruar nisjen e mjetit të këtij porti për marrjen e ekuipazhit. Dhe vërtet, ekuipazhi është nxjerrë në breg përpara se sa të mbërrinin dhe autoambulancat nga spitali i Durrësit. Njëkohësisht dhe autoritetet e tjera shtetërore kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë vijuar më tej operacionin e kërkim-shpëtimit. Mendoj se reagimi nga ana e personelit të Romano Port i cili ka demonstruar gatishmëri mjaft të lartë si dhe i autoriteteve të tjera si Kapitaneria apo Roja Bregdetare ka qenë në lartësinë e duhur. Kjo ngjarje nuk komprometon aspak sigurinë e portit apo aftësinë reaguese për ngjarje të tilla, por përkundrazi, dëshmoi se të gjithë këta aktorë ishin në nivelin e duhur. Natyrisht që ngjarja ka nevojë të hetohet si dhe të nxirren mësime në mënyrë që shkaqet që sollën këtë ngjarje të mos shkaktojnë ngjarje të tjera të kësaj natyre.
A mund të ndërtohen porte të tilla karburantesh kaq pranë me zonat e banuara?
Porto Romano është ndërtuar në një zonë e cila është përcaktuar për t’u zhvilluar si një zonë industriale ku është parashikuar dhe zhvillimi i kapaciteteve portuale. Unë besoj se rialokimi i përpunimit të të gjithë ngarkesave të karburanteve nga porti i Durrësit që është në mes të qytetit në Porto-Romano është një nga zhvillimet më të rëndësishme sa i përket zhvillimit të këtij sektori në Durrës. Romano Port është ndërtuar në veri të qytetit në një distancë afro 14 km nga qyteti dhe njëkohësisht dhe me zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe lidhjes me rrjetin hekurudhor, kjo zonë nuk cenon aspak zhvillimin urban të qytetit të Durrësit.
Z. Metalla, i përmban porti i ri “Romano Port” standardet e sigurisë dhe funksionit ashtu si dhe porte të tjera europiane të kësaj natyre?
Ngjarja e një jave më parë demonstroi pikërisht faktin se Romano Port është një port i cili ka kapacitetet e duhura për të përballuar jo vetëm përpunimin, por dhe për të ndërhyrë në situata emergjente siç ishte rasti i mbytjes së anijes “Edirne”. Është një port i cili është ndërtuar vetëm dy vite më parë dhe në projektimin e tij, sikurse dhe në ndërtimin e tij, janë aplikuar teknologjitë më të përparuara te kohës, duke garantuar në këtë mënyrë një siguri shumë të lartë si në përpunimin e anijeve që transportojnë hidrokarbure dhe gaz, në luftën kundra zjarrit si dhe nga pikëpamja e sigurisë është një port që plotëson standardet e ISO, dhe te kodit ISPS. Natyrisht që të gjitha këto do të ishin të paplota nëse nuk do të kishte dhe një personel të kualifikuar për të gjithë këto sfida. Trajnimi i personelit është një proces i cili vazhdon pasi herë pas here dalin kërkesa apo standarde te reja me të cilat personeli duhet të njihet dhe trajnohet.
Ka pasur disa ndryshime të rëndësishme në Kodin Rrugor, Ajror etj. A mendoni se dhe Kodi Detar duhet përmirësuar?
Natyrisht, të gjitha ndryshimet që janë bërë ne Kodet e ndryshme, kanë patur si qëllim përmirësimin e tyre si dhe adresimin e problematikave të ndeshura gjatë implementimit të këtyre kodeve si dhe përafrimin e tyre me legjislacionin e BE. Edhe Kodi Detar i është nënshtruar disa ndryshimeve, por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh se vendi ynë ka kaluar një periudhë tranzicioni dhe, si ekonomia në tërësi, ashtu dhe sektorë të veçantë, i janë nënshtruar herë pas here reformave të ndryshme, të cilat duhet të reflektohen dhe në legjislacion. Edhe sektori detar në Shqipëri është në proces reformimi, si pasojë dhe Kodi Detar natyrisht që do të ketë nevojë për rishikime te herëpashershme, në mënyre që të reflektojë ndryshimet që shoqërojnë reformat por dhe vetë praktika detare herë pas here gjeneron nevojën për reflektime dhe ndryshime.
Z. Metalla, në zonën e Porto Romanos është parashikuar dhe ndërtimi i mundshëm i TEC-eve. A e kemi në shkallën e duhur të sigurisë për investime të kësaj natyre?
Në dijeninë time di që ka pasur një diskutim për ndërtimin e një TEC-i në Porto Romano dhe, me sa duket, interesi i shfaqur nga një firmë italiane duket se nuk është më në tryezë. Gjithsesi, më duhet të them se problem i energjisë është një sfide jo vetëm për vendin tonë, por një sfidë globale. Në këtë kuadër edhe TEC-et janë një metodë alternative për prodhimin e energjisë dhe natyrisht që ndërtimi në përputhje me standardet mjedisore si dhe kriteret e tjera të sigurisë do të ishte një mundësi për ndërtimin e tyre. Për më tepër që tashmë ne jemi një vend që kemi aplikuar për marrjen e statusit për ne BE, dhe ndërtime të tilla të cilat kanë një shkallë të lartë ndjeshmërie sa i përket mjedisit, nuk mund të bëhen nëse ato nuk përmbushin krejtësisht standardet mjedisore.