Deputeti akuzon pushtetin lokal për situatën problematike të djegies së plehrave në qytetin bregdetar

Cila ishte shija që ju la kongresi i socialistëve?

Të them të drejtën mua nuk më la asnjë shije, por besoj se dhe atyre që shpresonin të kishin një shije të mirë nga ky kongres nuk besoj se e kanë marrë atë shije. Unë do t’a përkufizoja këtë kongres si një demagogji ku kryesocialisti Rama bëri premtime realisht të pabaza, saqë as socialistët brenda kongresit nuk i besuan, mendo pastaj që një socialist jashtë ta besonte, për të mos folur pastaj për një qytetar të paangazhuar politikisht që mund të besojë përralla të tilla.

Zërat ndryshe brenda PS-së në kongres janë komentuar nga drejtues të  kësaj force politike si pjesë e demokracisë brenda saj, në një kohë që PD-ja etiketohet si parti ku mungon demokracia e brendshme dhe sundon njëshi. Cili është komenti juaj?

Së pari nuk besoj se zërat ndryshe në PS janë pjesë e demokracisë së brendshme të kësaj partie, pasi nëse ka forcë politike, e cila ka demostruar se nuk ka demokraci të brendshme natyrisht që PS-ja është simboli i mungesës së demokracisë. Une dua të sjell në vëmendjen tuaj të gjitha zhvillimet e fundit, ku në asnjë rast vendimet për bojkot të PS-së nuk janë vendime të strukturave drejtuese, por janë vendime të njëshit të PS-së, të atij që socialistët kanë dëshirë ta quajnë shofer autobuzi, që autobuzin e socialistëve e kishte lënë jashtë rrugës dhe që tashmë në këtë kongres gjoja na e futi në rrugën e duhur. Në fakt shoferi i PS-së nuk la autobusin e PS-së, por dënoi shqiptarët me kursin e tij duke i lënë ata jashtë integrimit europian me bojkotin e tij të pakuptimtë. Ju jeni dëshmitarë tashmë të asaj çfarë i ndodhi zërave ndryshe në Kombinat kur dy deputetë të PS-së, që kishin mendim ndryshe u përballën me dhunën e financuar nga PS-ja, apo jeni dëshmitarë të mënyrës se si lideri socialist u soll me ikonën e socialistëve, ish-presidentin Mejdani, vetëm sepse ky i fundit kërkonte të dinte se si do t’i gënjente shqiptarët me 300.000 vendet e tij të punës Rama. Përsa i përket demokracisë së brendshme në PD une dua të them që është një parti, e cila ka disiplinën e saj politike, ka statutin e saj, por në të gjitha rastet mendimi ndryshe është respektuar. Kështu qoftë në kuvend, qoftë edhe në forumet e Partisë, të gjithë janë të lirë të shprehin mendimet e tyre dhe kjo gjë tashmë është evidente.

Nëse qeveria e PD-së ka patur si prioritet infrastrukturën rrugore, PS-ja nga kongresi ka nxjerrë si prioritet punësimin e 300.000 shqiptarëve. A e shikoni këtë alternativë të rivalit tuaj politik si një paralajmërim serioz per zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Do ta shihja vërtet si një paralajmërim serioz, sikur vërtet të ishte një premtim serioz. Sot socialistët flasin për 1.000.000 të papunë, kur e gjithë fuqia e aftë për punë në vend është diçka më shumë se vetë kjo shifër dhe përkatësisht 1.071.581 persona të aftë për punë (sipas INSTAT kjo është fuqia e aftë për punë në gjashtëmujorin e dytë të 2011-ës). Në këto kushte i bie që niveli i papunësisë në Shqipëri të jetë mbi 90%, kur në fakt kjo shifër është 13.26% nga 13,83% që ishte në fillim të këtij viti, pra është një shifër në rënie. Duke folur me shifra unë besoj se kuptohet më mirë se sa serioz është ky premtim. Unë besoj se të gjitha politikat që kjo qeveri ka ndjekur kanë qenë politika të drejta, të cilat i kanë dhënë frymëmarrje biznesit duke krijuar në këtë mënyrë vende të reja pune. Të thuash që do hap 300.000 vende pune do të thotë të tallesh me realitetin, pra nuk njeh më së paku realitetin. Nga ana tjetër, sot pas më se pesë vitesh qeverisje të djathtë më në fund shqiptarët nuk kërkojnë më drita, madje kanë harruar orët e pafundme të ndërprerjes së dritave, nëse flasim për rrugët në këto vite janë shtruar mbi 8000 km rrugë, edhe problemi i furnizimit me ujë të pijshëm ka pësuar një përmirësim të pakrahasuar me atë që ishte para vitit 2005. Këtë javë ne mbushëm një vit nga liberalizimi i vizave, një nga arritjet më të mëdha të kësaj mazhorance dhe të gjithë shqiptarëve. Kjo arritje nëse do të varej nga kryesocialisti Rama natyrisht do të kishte patur fatin e njëjtë me atë të marrjes së statusit të vendit kandidat, por fatmirësisht Rama nuk arriti dot t‘i bllokonte vizat.

Në kongresin e socialistëve, Rama paraqiti një program të ri përsa i përket lehtësimit të taksave dhe tatimeve dhe uljes së çmimit të karburanteve, veçanërisht për fshatin. U premtua ulje e taksave për 95% të shqiptarëve. Si e vlerësoni këtë program në krahasim me politikën e taksave që ka ndjekur qeverisja aktuale?

Programi i Ramës i prezantuar në kongresin e socialistëve, nuk i përgjigjet aspak realitetit shqiptar dhe për më tepër realitetit financiar në tërësi. Sot Shqipëria është vendi me barrën më të ulët fiskale, taksa e sheshtë 10%, ka qenë një taksë, e cila ka stimuluar në mënyrë të ndjeshme biznesin. Në një kohë, kur në të gjitha vendet e tjera ka patur ngadalësim të rritjes ekonomike apo tregues negativ, të gjithë këto vite, vendi ka njohur rritje pozitive ekonomike dhe kjo falë kësaj reforme fiskale. Në këto vite, sipërfaqet e tokave të mbjella në vend janë dyfishuar krahasuar me vitin 2005 duke dëshmuar ato politika stimuluese që ka ndjekur qeveria si dhe subvencionet e ndryshme në bujqësi. Të thuash që do të ul taksat për 95% të shqiptarëve në një kohë, kur shqiptarët paguajnë taksa më pak se të gjithë vendet e rajonit dhe të Europës do të thotë t‘i mashtrosh shqiptarët. Ajo që ka bërë kjo qeverisje është pikërisht ulja e barrës fiskale dhe rritja e aftësisë grumbulluese nëpërmjet luftës së evazionit fiskal dhe korrupsionit. Ndaj unë e them me bindje se deri tani nuk kam parë as edhe një pikë të argumentuar në programin e prezantuar nga Rama, çka do të thotë se edhe këto premtime që ju prezantuat në pyetjen tuaj ngelen thjesht premtime elektorale dhe të pabazuara.

Akuza të forta ka pasur në kongres dhe përsa i përket asaj që ata i kanë konsideruar monopole në ekonomi, ku madje është paralajmëruar p.sh. rishikimi i konçensioneve të hidrocentraleve. Cili është komenti juaj?

Natyrisht që një nga pikat më të forta të kësaj qeverisje ka qenë krijimi i klimës së favorshme për biznesin dhe kjo natyrshëm që ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të investimeve te huaja direkte. Nga afro 300 milionë $ që investoheshin në vitin më të mirë të qeverisjes socialiste, tashmë kjo shifër e ka kaluar 1 miliard $ në vit. Të godasësh konçensionet do të thotë të godasësh ekonominë, do të thotë që të godasësh investitorët, do të thotë që asnjë i huaj të mos ketë më besim të investojë në Shqipëri. Gjithë atë besim të krijuar, gjithë atë klimë mjaft pozitive për investimet e huaja ,Rama do ta godasë dhe ta dëmtojë. Natyrisht që kjo bie ndesh dhe me premtimin e krijimit të 300.000 vendeve pune. Nuk e kuptoj se si do të krijosh vende pune duke dëmtuar biznesin. Këtë vetëm Rama mund t‘a shpjegojë. Gjithsesi më duhet të them se ky nuk është gjë tjetër veçse një mentalitet komunist. Ashtu siç bënë në '44-ën komunistët, që shpronësuan gjithë pronarët kur erdhën në pushtet, ashtu dëshiron të bëjë dhe Rama me konçensionet!

Deputeti i PS-së B. Klosi ka akuzuar qeverinë Berisha se do të kthejë nje qytet turistik si Durrësi  në një qytet centralesh dhe plehrash. Cili është reagimi juaj?

Të gjithë e dimë që qyteti i Durrësit qeveriset që prej vitit 2000 nga ana e socialistëve. Të gjithë jemi dëshmitarë të mënyrës se si plehrat trajtohen në qytetin e Durrësit. Është bashkia Durrës ajo që duhet të menaxhojë më mirë mbetjet, të marrë masa që ato mbetje urbane që sot digjen në mes të ditës në Spitallë, të mos digjen më. Qeveria ka bërë gjithçka që Durrësi dhe të gjitha qytetet e vendit të mos vazhdojnë të jenë më në këtë gjendje, e cila paraqitet problematike sa i përket mbetjeve urbane. Edhe ligji që parlamenti miratoi një javë më parë pikërisht i adreson të gjithë këto probleme. Unë nuk mendoj se përgjegjësia jonë si politikanë është vetëm të akuzojmë, por edhe të shohim dhe të pranojmë përgjegjësitë tona. Qeveria Berisha e ka shpallur tashmë turizmin prioritet të sajin dhe natyrisht Durrësi për vetë bukuritë natyrore që ofron, bregdetin e tij, vlerat kulturore dhe ato arkeologjike natyrisht që është në pararojë të këtij prioriteti.

Nga socialistët është premtuar zgjidhja e problemit të atyre që ata i konsiderojnë pronarë të tokës. Pse mendoni ju se qeverisja e djathtë nuk e ka realizuar këtë premtim dhe a i shikoni të realizueshme premtimet e së majtës?

Unë mendoj se gjatë këtyre viteve kjo maxhorancë e ka pasur në qendër të vëmendjes zgjidhjen e problemin e zgjidhjes së pronës së ish-pronarëve. Por atë që paraardhësit e socialistëve e ngatërruan në 50 vite komunizëm natyrisht që nuk është e lehtë që kjo mazhorancë ta zgjidhë krejtësisht në këto vite qeverisje. Ne kemi ndërmarrë reforma ligjore për t‘i ardhur në ndihmë zgjidhjes së këtij problemi, ka funksionuar Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të pronave dhe një pjesë e pronarëve janë shpërblyer pjesërisht apo tërësisht. Por natyrisht problemi i pronave mbetet një problem i komplikuar që kërkon më shumë kohë dhe natyrisht burime më të mëdha financiare. Besoj se vetë pronarët nuk kanë besim që ata, që u morën pronën, do ta zgjidhin këtë problem me një deklaratë të Ramës.

Duke ju referuar inagurimit më të fundit që  kryeministri Berisha i bëri fabrikës së riciklimit të automjeteve në zonën tuaj elektorale në Xhafzotaj. Ka pasur reagime nga PS-ja, që i konsiderojnë këto investime si pjesë të interesave klanore dhe shkatërrimit të perspektivës turistike të rrethit të Durrësit. Cila është optika juaj?

Personalisht mendoj se p.sh. investimi i bërë nga kompania gjermane Shultz për riciklimin e automjeteve ishte një shembull mjaft domethënës i investimeve serioze, që tashmë nuk përbëjnë më ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Një investim i tillë, jo vetëm që do të ndikojë në përmirësimin e mjedisit, pasi të gjithë ato mbetje makinash që ne shohim rëndom në Durres dhe rrethina, tashmë do të riciklohen. Së dyti teknologjia, që u prezantua në këtë fabrikë është teknologjia më e fundit, së treti kjo fabrikë materialin e riciklueshëm, që prodhon do ta dërgojë si në tregun vendas ashtu dhe për eksport, duke demostruar kështu që ai ligj që u përfol aq shumë është edhe për eksport të mbetjeve si lëndë e parë. Skepticizmi i atyre, që e kundërshtuan këtë ligj mendoj se ka vetëm baza politike, por unë sërish dua tu them se politika nuk bëhet me plehra por me vlera!  Kjo qeveri po bën gjithçka që ky vend të pastrohet një herë e mirë nga të gjitha mbetjet dhe pa diskutim që do t’ia dalim.

Cili është këndvështrimi juaj përsa i përket çështjes që ka të bëjë me planifikimin urban, ku probleme serioze paraqiten edhe për Durrësin?

Nëse sot Durrësi dhe qytetet e tjera të vendit janë pre e një katastrofe urbane dhe më tipik për këtë është situata e plazhit të Durresit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së planeve të integruara urbane. Detyrimi ligjor që tashmë të gjitha njësitë vendore kane për hartimin dhe miratimin e planeve urbane mendoj se është “shpëtimi” i qyteteve tona nga ndërtimi kuturu, i cili na ka shoqëruar në tërë këto vite.

Duke u ndalur pak tek profesioni juaj. Për herë të parë nje lider politik si Edi Rama premtoi port të ri në Shëngjin, zgjerim të portit të Vlorës në një kohë që Durrësi nuk u përmend. Si e vlerësoni këtë deklaratë dhe a mendoni se ka ardhur koha për një vizion të ri për portet?

Së pari dua të them se nuk është hera e parë që një lider politik flet për portet. Në fushatën elektorale të vitit 2005, PD-ja kishte një strategji të qartë për transportin dhe sot ai vizion politik që ne kishim për transportin është bërë realitet. Pjesë e kësaj strategjie kanë qenë dhe portet, të cilat krahasuar me atë që kanë qenë në vitin 2005 nuk kanë të krahasuar. Unë nuk po ndalem të analizoj të gjitha portet, por dëshiroj të them se sot porti i Durrësit është një port krejtësisht modern, me shërbime të privatizuara dhe efektive, me një infrastrukturë moderne. Vetëm në këto 6 vite janë investuar mëse 60 milionë $, të cilat e kanë transformuar portin dhe e kanë bërë një nga portet më konkuruese të rajonit. Njëkohësisht sot Durrësi nuk ka më vetëm një port, por kemi dhe Porto Romanon, i cili ka bërë të mundur përpunimin e ngarkesave të hidrokarbureve, që deri tre vite më parë përpunoheshin në kushte jashtë të gjitha kërkesave teknike duke paraqitur në këtë mënyrë një rrezik për qytetin e Durrësit. Nga ana e qeverisë është miratuar masterplani për zonën industriale te Porto Romanos, i cili përveç zhvillimit të zonës i ka çelur perspektivën e zhvillimit të kapaciteteve përpunuese të mallrave në veçanti të mallrave rifuxho, të thata, të cilat do ta çlirojnë portin e Durrësit nga problemet që shoqëron përpunimi i këtyre ngarkesave siç janë zhurmat, ndotjet dhe trafiku, duke e profilizuar portin e Durrësit si një port vërtet në shërbim të qytetit. Portet nuk zhvillohen me deklarata kongresesh, por me strategji zhvillimi të bazuara në dinamikën e tregut.