Ekzistenca e porteve, infrastruktura e mirë rrugore dhe përmirësimi i rrjetit hekurudhor natyrisht që e bëjnë vendin tonë një vend të lakmueshëm nga pikëpamja infrastrukturore për zhvillimin e biznesit. Reformat e ndërmarra gjatë gjithë këtyre viteve kanë krijuar një klimë mjaft të favorshme për biznesin dhe kjo padyshim që ka qenë një nga nxitësit kryesorë për rritjen e vëmendjes së biznesit kinez për investime në Shqipëri

Deputeti i Durrësit, Osman Metalla, ka komentuar deklaratat më të fundit të kryeministrit Berisha në lidhje me interesin e biznesit kinez për të investuar në Shqipëri dhe potencialet e mundshme të investimeve në zonën e Spitallës. Sipas Metallës,- “prezenca e infrastrukturës portuale në zhvillim në këtë zonë natyrisht që e bën mjaft interesante dhe të pëlqyeshme për bizneset, pasi në të mund të zhvillohen biznese të ndryshme, shërbime logjistike, zona të përpunimit të eksporteve apo shërbime të tjera, të cilat në tërësi përbëjnë një mundësi mjaft të madhe për zhvillimin e saj, rritjen e punësimit dhe rritjen ekonomike”.

Zoti Metalla, si e shihni perspektivën e zonës së Spitallës, e cila kohë më parë është shpallur nga qeveria park industrial?

Spitalla tashmë është një zonë, e cila është konfiguruar si një zonë industriale. Pak kohë më parë është lëshuar dhe një VKM, e cila e shpall zonën e Spitallës dhe të Porto Romanos si park industrial. Prezenca dhe e infrastrukturës portuale në zhvillim në këtë zonë natyrisht që e bën mjaft interesante dhe të pëlqyeshme për bizneset, pasi në të mund të zhvillohen biznese te ndryshme, shërbime logjistike, zona të përpunimit të eksporteve apo shërbime të tjera, të cilat në tërësi përbëjnë një mundësi mjaft të mirë për zhvillimin e zonës, rritjen e punësimit dhe rritjen ekonomike. Fakti që kryeministri prezantoi Spitallën si një zonë me potenciale për zhvillimin e bizneseve, është tërësisht brenda kontekstit të strategjisë së zhvillimit të saj dhe njëkohësisht është një vlerësim që qeveria ka për Spitallën, si zonë me potenciale reale zhvillimi.

Si e vlerësoni interesimin e biznesit kinez për investime në Shqipëri?

Kina është një nga gjigandët ekonomikë që gjatë dy dekadave të fundit ka njohur rritjen më të madhe ekonomike ne botë. Eksportet kineze gjatë kësaj periudhe janë rritur ndjeshëm dhe si pasojë Kina po synon kapjen e sa më shumë tregjeve në mbarë botën. Nisur nga pozita gjeografike që vendi ynë ka, mendoj se Kina e sheh si një mundësi më shumë për shtrirjen e tregjeve të saj rajonin ballkanik. Ekzistenca e porteve, infrastruktura e mirë rrugore dhe përmirësimi i rrjetit hekurudhor natyrisht që e bëjnë vendin tonë një vend të lakmueshëm nga pikëpamja infrastrukturore për zhvillimin e biznesit. Nga ana tjetër, dhe ajo çka është më e rëndësishme, reformat e ndërmarra gjatë gjithë këtyre viteve kanë krijuar një klimë mjaft të favorshme për biznesin dhe kjo padyshim që ka qenë një nga nxitësit kryesorë për rritjen e interesit të biznesit kinez për investime në Shqipëri.

Si e shpjegoni faktin që Kryeministri i prezantoi biznesit kinez zonën e Spitallës si një mundësi të mirë investimi për një park ekonomik?

Zona e Spitallës tashmë është një zonë e cila është konfiguruar si një zonë industriale. Pak kohë më parë është lëshuar dhe një VKM, e cila e shpall zonën e Spitallës dhe të Porto Romanos park industrial. Prezenca e infrastrukturës portuale në zhvillim në këtë zonë natyrisht që e bën mjaft interesante dhe të pëlqyeshme për bizneset, pasi në të mund të zhvillohen biznese te ndryshme, shërbime logjistike, zona të përpunimit të eksporteve apo shërbime të tjera, të cilat në tërësi përbëjnë një mundësi mjaft të madhe për zhvillimin e zonës, rritjen e punësimit dhe rritjen ekonomike. Fakti që kryeministri prezantoi zonën e Spitallës si një zonë me potenciale për zhvillimin e bizneseve është tërësisht brenda kontekstit të strategjisë së zhvillimit të kësaj zone dhe njëkohësisht është dhe një vlerësim që qeveria ka për të si zonë me potenciale reale zhvillimi.

Cilat janë prioritet që ka Durrësi për investime në raport me zona të tjera të vendit?

Qyteti dhe qarku i Durrësit është ndoshta rajoni me më shumë mundësi zhvillimi në vend. Kjo për vetë faktin se Qarku i Durrësit ofron mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, sepse ka një vijë bregdetare mjaft të gjatë ofron mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë portuale, sidomos në zonën e Porto Romanos dhe të Bishtit të Pallës, ofron mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të peshkimit, ofron mundësi për zhvillimin e industrisë si dhe ka potenciale mjaft të mëdha në zhvillimin e agrikulturës. Pra në tërësi është një qark që i ka të gjitha potencialet e mundshme të zhvillimit.

Cilat janë investimet konkrete që janë realizuar deri tani në zonën veriore të Durrësit dhe cilat janë projektet e së ardhmes?

Besoj se pyetja juaj ka të bëjë me zhvillimin e zonës industriale dhe në këtë kuadër më lejoni të them se kjo zonë ka pasur investime mjaft të rëndësishme në infrastrukturë. Kështu është përfunduar rruga Durrës-Spitallë–Porto Romano, po përfundon lidhja e autostradës me zonën industriale, ka patur investime mjaft të rëndësishme të sektorit privat, veçanërisht të sektorit të hidrokarbureve, si dhe investime të tjera. Është një zonë e cila është në zhvillim e sipër dhe interesi i treguar edhe nga biznesi kinez së fundmi dëshmon për rëndësinë dhe potencialet e mëdha që ajo mbart në vetvete.

Cila janë disa nga projektligjet e miratuara apo që janë në proçes përsa i përket investimeve apo projekteve në qytetin bregdetar të Durrësit?

Natyrisht që puna e Kuvendit të Shqipërisë ka qenë në vazhdimësi mjaft intensive dhe janë miratuar një sërë ligjesh mjaft të rëndësishme siç ishte për shembull ligji që u miratua në seancën e kaluar lidhur me kompensimin e pronës apo për programet sociale të strehimit. Nga ana tjetër në komisionin e Veprimtarive Prodhuese po diskutohet me mjaft seriozitet projektligji për peshkimin, një projektligj, i cili është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të peshkimit, sektor ky mjaft i rëndësishëm për Durrësin, ku me qindra familje kanë lidhur ekonominë e tyre. Për këtë projektligj edhe unë si deputet i qarkut, por njëkohësisht dhe si mik i shumë prej atyre njerëzve që punojnë në një sektor të tillë mjaft të vështirë, por dhe të bukur kam zhvilluar takime për të dëgjuar dhe mbrojtur interesat e tyre dhe të peshkimit në Durrës.