Policia ka proceduar penalisht 2 subjekte juridike në Elbasan. Kjo pasi ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.

Në kuadër të kësaj janë vënë në pranga 16 persona dhe janë shpallur në kërkim 8 aksionerë. Të arrestuarit janë Rahul Pal, Styend Pal, Munna Singh, Rajesh Yadav, Aaditiya Raj, Rahul Pal, Dheeraj Kumar, Jakup Karaj, Ismail Dybeli, Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi dhe Eglis Flaga. Policia po heton më shumë mbi rastin. 

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Metalurgjiku”, i ndjekur prej disa muajsh me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e krimeve kundër mjedisit. Procedohen penalisht 2 subjekte juridike, bazuar në nenin 3 të ligjit Nr. 9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, të cilat ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.

Vihen në pranga 16 shtetas (9 prej tyre shtetas të huaj), me role drejtuese, teknike dhe punonjës. Mësohet se të arrestuar shtetasit: Juncheol Chung – shtetas korean, Prakash Kadel – shtetas nepalez, si edhe shtetasit indianë: Rahul Pal , Styend Pal, Munna Singh ,Rajesh Yadav , Aaditiya Raj, Rahul Pal , Dheeraj Kumar. Jakup Karaj, Ismail Dybeli ,Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi , Eglis Flaga.” njoftoi policia.