Nga Gladiola Busulla Jorgollari

 

Në mitologjinë greke, figura e Medeas është konsideruar hipnotizuese me dykuptimësinë e errët dhe të pamëshirshme. E dashuruar  me Jasonin deri në atë pikë, sa të tradhëtojë të atin dhe të vrasë të vëllanë, çmenduria e saj arrin kulmin, kur jeta e lidhur aq ngushtësisht me atë të bashkëshortit, i ndryshon rrënjësisht. Jasoni e lë atë për të filluar një jetë tjetër.

Për fat të keq, sot u rishfaq një “Medea kontemporane”, dhe brutaliteti i mitologjisë greke u kthye sërish, më i frikshëm se kurrë.

Besoj se është krejtësisht e panevojshme të përshkruaj tmerrin, hidhërimin, pezmatimin, habinë, makthin, çmendurinë që ka shkaktuar ky lajm rrënqethës, në mbarë opinionin publik.Edlira, kjo Medea moderne, e mbetur vetëm, në një udhëkryq të madh, në dilemën më të madhe të ekzistencës së saj, pas investimit të bërë në familje, denatyralizohet dhe zhvishet nga vlerat e dashurisë, humanizmit, amësisë, e shpërfytyruar përtej kufijve të imagjinatës. Jam e bindur që të gjithë e kemi gjykuar, e kemi mallkuar, madje ndokush do të donte dhe ta therte, në të njëjtën mënyrë, siç veproi ajo me vajzat e saj.

Sipas mitit, Medea kishte shkelur gjakun e saj për hir të dashurisë ndaj burrit, kurse Edlira si çdo nënë dhe bashkëshorte duhet të ketë kryer dhe përmbushur, shumë sakrifica e obligime familjare. Pakkush nga ne mund ta marrë me mend se çfarë ndjen një grua e braktisur, e zhgënjyer, e mbetur vetëm, me një përgjegjësi të trifishtë mbi supe, mbi të gjitha në një moshë relativisht të re. Të dënuara në vetmi, paralelisht të dyjave s’u mbetet tjetër veç hakmarrjes, për të lënduar ish-bashkëshortët. Medea kishte dy djem, Edlira tri vajza. Medea dëshiron ta kryqëzojë Jasonin, t’i shuajë familjen, pasardhësit, gjakun. Pra e kundërta e dashurisë s’qenka urrejtja, por vdekja.

Natyrshëm lind pyetja: A mund të vrasë nëna krijesën e vet, qëllimin e jetës, nanuritjen, pagjumësinë e ëmbël, ëndrrat, përqafimin më të ngrohtë, realizimin e saj të plotë si grua?! Ç’përbindësh a ç’demon krijon metastaza në barkun e kësaj nëne, që pasi e dhuron jetën e rrëmben aq mizorisht atë?! A mund të shndërrohet instikti mëmësor në instikt vrasës? Po t’i referohemi mitit dhe realitetit, ja pra që mundka !

Silogjizmi: që nga lashtësia e deri më sot, shoqëria jonë apo i ashtuquajturi qytetërim modern s’qenka tjetër, veçse një maskim i stërholluar. Në të vërtetë, s’ka ndryshuar asgjë.

 Vallë në ç’galaktika apo në cilin rreth të ferrit përhumbet gruaja që këput brutalisht lidhjen e gjakut, atë më të thellën, më sublimen, më uniken që ekziston në natyrë?

 Një nënë që vret fëmijën e saj, padyshim që është një grua e gremisur, së cilës ndoshta, askush s’i ka zgjatur dorën. Gjithsesi, shumë prej nesh kanë dëgjuar për depresionin post partum dhe baby blues; gjendje psikologjike që shoqërohen me irritime, dënesa, ankth, trishtim, melankoli. Këto gra gjenden përpara një abisi, kështu që dëshpërimi, terri, lodhja, mungesa e besimit në vetvete ndikojnë që fjala jetë t’u tingëllojë si një kakofoni e shëmtuar. E gjitha kjo ngjan me një qerthulli marramendëse, plot amplituda dhembjeje e marrëzie.

Shoqëria tronditet kur rregullat përmbysen; e sidomos kur bëhet fjalë për rrënjët e ekzistencës, strukturën e jetës, hierarkinë e prioriteteve. Nënat e alienuara humbasin energjinë e ndjenjave, kthjelltësinë dhe vetëkontrollin, aftësinë për të kërkuar ndihmë. Atëherë ndodh tragjedia më e kobshme, ndodh hakmarrja e tërthortë ndaj një Jasoni që ka tradhëtuar, por goditjen fatale e pëson i pafajshmi. Në rastin konkret, viktimat më të mëdha janë tri ëngjëjt që Zoti do t’i marrë në krahët e tij, sepse nëna e tyre, për një moment vdiq së brendshmi dhe u transformua në një mostër, në një serial killer, në dikë që ka shumë gjasë, të mos e njohë as vetë.

Më 8 Mars bërtitëm fort dhe festuam se Nënat janë jetëdhënëse e të shenjta, por vetëm një ditë më pas, u përballëm me anën tjetër të medaljes, atë që s’do të donim kurrë të njihnim!