TIRANË- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të bllokuar procesin e shitjes së aksioneve në kompanine “CEZ Shpërndarje”, Tiranë. 

Dy ditë pas njoftimit në media të grupit CEZ për nxjerrjen në shitje të paketës së saj prej 76% të aksioneve në kompanine “CEZ Shpërndarje”, Tiranë, METE e cila zotëron 24% të paketës së aksioneve deklaron se e ka marrë njoftimin vetëm nëpërmjet mediave dhe vendimi nuk i është komunikuar nga “CEZ Shperndarje” ne Pragë. 

METE akuzon CEZ a.s. se ka dështuar të përmbushë detyrimet thelbësore të saj duke i shkaktuar një dëm Shqipërisë që përllogaritet në nivelin e 1 miliardë USD, ndaj për këtë arsye do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të bllokuar procesin. 

“E vërteta është që kjo situatë nuk vjen aspak si pasojë e veprimeve të Rregullatorit (ERE), por përkundrazi ajo vjen, përveçse prej mosrealizimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e CEZ a.s., edhe si pasojë e menaxhimit shumë të dobët të “CEZ Shperndarje” dhe nivelit shumë të ulët të investimeve të kryera në rrjet. METE do të ndermarrë të gjitha hapet ligjore të nevojshëm për të bllokuar këtë proces”,- thekson në njoftimin e saj ministria. 

Grupi çek CEZ bëri tw ditur dy ditë më parë se ka nxjerrë në shitje degën e saj në Shqipëri, e cila gjendet në vështirësi financiare. Sipas një deklarate të kompanisë, blerësit e mundshëm mund të shprehin interesin e tyre përgjatë muajit janar dhe të bëjnë ofertat e tyre. Në deklaratë njoftohet se hapat e mëtejshëm për shitjen e degës do të bëhen në vazhdim.