TIRANË- Thellohet konflikti mes qeverisë dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ. 

Ministria e Energjetikës ka deklaruar sot se ndërprerja e energjisë tek konsumatorët nuk vjen për shkak të mungesës së saj, por për shkak të problemeve të brendshme të CEZ. 

Në një deklaratë për mediat zv. Ministri i Energjetikës Eno Bozdo ka deklaruar se “Qeveria ka importuar e vazhdon të importojë energji, që të mos mungojë tek asnjë konsumator, por përgjegjës për këtë situatë është CEZ, e cila problematikën e rëndë të brendshme e ka transmetuar tek konsumatorët. Kujtojmë që METE është duke monitoruar nga shumë afër situatën, ne kemi vënë në dijeni të gjitha organet kompetente për të siguruar se cdo gjë do shkojë normalisht”, shprehet ai. 

Bozdo i kujtoi CEZ se “furnizimi me energji është kompetencë e saja, prandaj duhet të veprojë me urgjencë për forcimin e bazës materiale, mungesa e transformatorëve, kabllove rezervë nuk duhet të ndikojë në mungesën e energjisë për konumatorët familjarë apo për bizneset”, tha ai. 

Ndër të tjera Bozdo i ka bërë apel cdo punonjësi të CEZ që të “zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin”, duke përmbushur sic tha ai detyrën e tyre. 

“METE i ka marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit”, shtoi ai.