Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të bllokuar procesin e shitjes së aksioneve në kompanine “CEZ Shpërndarje”, Tiranë.

Dy ditë pas njoftimit në media të grupit CEZ për nxjerrjen në shitje të paketës së saj prej 76% të aksioneve në kompanine “CEZ Shpërndarje”, Tiranë, METE e cila zotëron 24% të paketës së aksioneve të kompanisë “CEZ Shpërndarje”, deklaron se e ka marrë njoftimin vetëm nëpërmjet mediave dhe vendimi madje nuk i është komunikuar as nga “CEZ Shperndarje” ne Pragë.

“Prej disa kohësh, për shkak të dështimit të kompanise “CEZ Shpërndarje”, e cila në vijimësi nuk po përmbush asnjë detyrim kontraktor si dhe është në pamundesi të ushtrojë funksionet e saj normale, METE dhe kompania CEZ a.s. janë në një proces negocimi për të dhënë një zgjidhje të qendrueshme këtij problemi. Deri në këtë cast, asnjë komunikim i deritanishëm, verbal apo joverbal i kompanisë CEZ a.s. nuk ka njoftuar se kjo kompani tërhiqet nga negociimi!”,-thekson në reagimin e saj METE.

METE akuzon CEZ a.s. se ka dështuar të përmbushë detyrimet thelbësore të saj, të specifikuara në kontratën e privatizimit dhe në dokumentat ligjore përkatës të këtij procesi, duke i shkaktuar një dëm Shqipërisë që përllogaritet në nivelin e 1 miliardë USD, ndaj për këtë arsye do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të bllokuar procesin.

“E vërteta është që kjo situatë nuk vjen aspak si pasojë e veprimeve të Rregullatorit (ERE), por përkundrazi ajo vjen, përvecse prej mosrealizimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e CEZ a.s., edhe si pasojë e menaxhimit shumë të dobët të “CEZ Shperndarje” dhe nivelit shumë të ulët të investimeve të kryera në rrjet. Si konkluzion, ndërsa dëmet shkaktuara Shqipërisë nga ana e “CEZ a.s.” janë në nivelin e 1 miliardë USD, dhe në të njëjtën kohë, ERE ka iniciuar procedurat e heqjes se licencës së “CEZ Shperndarje”, METE do të ndermarrë të gjitha hapet ligjore të nevojshëm për të bllokuar këtë proces”, thekson në njoftimin e saj METE.

CEZ NXJERR NE SHITJE AKSIONET

CEZ: Grupi çek CEZ ka bërë me dije dy ditë më parë se ka nxjerrë në shitje degën e saj në Shqipëri, e cila gjendet në vështirësi financiare. Sipas një deklarate të kompanisë, blerësit e mundshëm mund të shprehin interesin e tyre përgjatë muajit janar dhe të bëjnë ofertat e tyre. Në deklaratë njoftohet se hapat e mëtejshëm për shitjen e degës do të bëhen në vazhdim. “CEZ Group” bëri gjithashtu me dije se po vazhdon diskutimet me Qeverinë shqiptare, për mënyrën e zgjidhjes së situatës së krijuar në degën e saj. Kjo kompani ka hyrë në tregun shqiptar në muajin maj të vitit 2009, duke blerë 76% të kompanisë vendëse të shpërndarjes. Pjesa e mbetur e aksioneve, prej 24%, zotërohet nga Qeveria e Shqipërisë.