Shqipëria del nga lista gri e pastrimit te parave. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete gjatë një konference me FMN-në dhe Bankën e Shqipërisë.
Më tej Mete, nënvizoi se ekonomia e vendit ka treguar qëndrueshmëri.
Mete: Përpara se të kalojmë në diskutimet mbi vizitën më të fundit të misionit të Fondin Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, dua ta nis me një lajm të mirë për Shqipërinë.
Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar. Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë frymë pozitive, kanë qënë edhe diskutimet me misionin e FMN-së gjatë dy javëve të fundit, që misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka qënë prezent në kuadër të Artikullit IV.