Tiranë, 15 mars 2014 – Ministria e Financave detajon të dhënat mbi të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit gjatë 2 mujorit të parë të këtij viti. Konkretisht të ardhurat llogariten të jenë 52,397 milionë lekë.
Nga statistikat zyrtare të ministrisë së Financave, të ardhurat e mbledhura për periudhën janar-shkurt, përbëjnë 14.37 % të totalit të të ardhurave të planifikuara për t’u mbledhur përgjatë gjithë vitit 2014. Krahasuar me 2-mujorin e parë të vitit 2013, rezulton se këto të ardhura janë rreth 2,733 milionë lekë më të larta.
Gjatë 2-mujorit të 2013-ës, u arkëtuan në buxhet 49,664 milionë lekë. Referuar statistikave, shpenzimet llogariten në vlerën 54,069 milionë lekë, ndërsa rezulton një deficit buxhetor prej 1,652 milionë lekësh. Në 2-mujorin e 2013-ës, shpenzimet llogariten 57,081 milionë lekë dhe deficiti në masën e 7,417 milionë lekëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





