Michael O’Neill tërhiqet përfundimisht nga detyra e trajnerit të përfaqësueses së Irlandës së Veriut. 50-vjeçari nga Portadoën vendos në këtë mënyrë të lërë timonin e “Norn Iron” pas 8 vjetëve në drejtim, për t’u përqendruar në vazhdim në detyrën e tij si trajner i klubit të Championship-it Stoke City.O’Neill duhej të drejtonte përfaqësuesen e Irlandës së Veriut në takimin e Play Off-it me Bosnje Hercegovinën, duel që do të zhvillohej në qytetin e Zenicës, megjithatë pandemia e virusit COVID-19 shkaktoi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike në glob, përfshirë edhe vetë fazën finale të kampionatit evropian, që u shty nga viti 2020 për t’u zhvilluar përfundimisht vitin e ardhshëm, nga 11 qershori deri më datën 11 korrik.Vendimi i UEFA-s për të shtyrë aktivitetet kontinentale në mënyrë të kuptueshme ka influencuar në vendimin e 50-vjeçarit nga Ulsteri, që tani do të fokusohet vetëm te puna e tij si trajner i “poçarëve” të Stoke City-t. O’Neill deklaroi se në një situatë të tillë, pa ndeshje ndërkombëtare, gjëja më e ndershme ishte tërheqja e tij nga drejtimi i Irlandës së Veriut.Ish-mesfushori, që dikur ka luajtur në Angli, Skoci, Irlandën e Veriut e gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara me Portland Timbers shpjegoi se do të ishte shumë e vështirë për të për të mbajtur dy punë njëkohësisht, duke patur parasysh që me kalendarin e ri të ofruar nga UEFA impenjimet me “bardhjeshilët” janë shtyrë minimalisht për periudhën tetor–nëntor, kështu që sipas tij do të ishte mungesë respekti kundrejt klubit të tij aktual Stoke City.O’Neill u emërua si trajner i Irlandës së Veriut në dhjetorin e vitit 2011 dhe e udhëhoqi këtë përfaqësuese deri në fazën finale të kampionatit të kaluar evropian, France 2016, kualifikimi i parë i “Norn Iron” në një aktivitet të rëndësishëm, që nga botërori i vitit 1986, që u mbajt në Meksikë. Ecuria e tij shumë e mirë me një përfaqësuese modeste si ajo e Irlandës së Veriut solli dhe interesimin e klubit nga Staffordshire Stoke City, ndërsa më pas palët ranë dakord që Michael O’Neill të marrë drejtimin e ekipit nga Stoke – on – Trent, për të drejtuar dy skuadra të ndryshme në të njëjtën kohë.
Për hir të së vërtetës pritet që UEFA të shtyjë akoma më shumë datat e play off-it, për sfidat që do të përcaktojnë edhe katër ekipet e fundit që do të fitojnë të drejtën për të shkuar në fazën finale të kampionatit evropian, për më tepër në muajin shtator është programuar nga UEFA që të startojë edhe edicioni i dytë Ligës së Kombeve, në Kontinentin e Vjetër. Michael O’Neill është shumë i lumtur që i ka lënë “bardhjeshilët” në pozita të shëndosha, madje me mundësinë për të shkuar në evropianin e ardhshëm, për më tepër 50-vjeçari beson se shumë lojtarë të formacionit te Irlanda e Veriut kanë mundësi për të ecur përpara, duke patur një karrierë të suksesshme si me klubet ashtu edhe kombëtaren.Ai falënderoi në mënyrë të veçantë gjithë futbollistët, stafin teknik dhe atë mjekësor, drejtuesit e Federatës, por mbi të gjitha fansat e shumtë për mbështetjen e tyre të zjarrtë. Është herët ndoshta për të vendosur, nëse merret parasysh situate e vështirë që është krijuar për shkak të koronavirusit, gjithsesi për momentin janë 6 emra që përfliten për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Irlandës së Veriut.Michael O’Neill e mori drejtimin e Stoke City-t në fillimin e muajit nëntor, kur klubi nga Staffordshire pozicionohej në fund të tabelës së renditjes në Championship, ndërsa aktualisht ndonëse ky kampionat është pezulluar falë ecurisë pozitive të regjistruar në muajt e parë të këtij viti “poçarët” i janë larguar ndjeshëm “zonës së ftohtë”.





