Në podkastin e saj “In My Opinion” Michelle Obama ka zbuluar se ka shtuar 10 piercing të rinj në look-un e saj. Në një bisedë me bashkëprezantuesin Craig Robinson, njëkohësisht vëllain e saj, ai shprehet: “Ajo që kam mësuar është se u përpoqe të shpoje veshët dhe mendove se unë nuk e vura re. Dhe shoh që ke bërë të gjitha këto shpime të reja në vesh”.

“Nuk mendoj se e vure re”, ia ktheu e motra duke qeshur.

Ajo gjithashtu pohon se gjithmonë ka menduar të vendosë disa shpime shtesë në vesh, edhe pse nuk kishte arritur kurrë t’i bënte.

“Por në ditët e sotme, të rinjtë në jetën time po bëjnë më shumë piercing. Ka thjesht më shumë zbukurime të bukura”, shprehet Michelle, ndërsa tregonte piercing-un e saj.

Në bisedën e tyre ajo zbuloi gjithashtu se bashkëshortit të saj, Barack Obama, i ishin dashur tre ditë të vinte re këtë ndryshim tek e shoqja.

Një tjetër ndryshim që ish-Zonja e Parë ka bërë së fundmi në pamjen e saj kanë qenë pikërisht gërshetat e saj, të cilat ajo i justifikon me dëshirën për një pamje më natyrale dhe më mbrojtëse ndaj flokëve të saj.

“Gërshetat më lejojnë t’i realizoj, dhe kjo është një gjë më pak për të cilën duhet të mendoj. Kur jam larg syrit të publikut, notoj, luaj tenis dhe gërshetat përfaqësojnë atë lloj lirie për mua”, është shprehur ajo.

Por gjatë viteve të saj në Shtëpinë e Bardhë, Michelle Obama pranon se nuk mendonte se gërshetat ishin një mundësi.

“Nuk isha e sigurt nëse vendi ishte gati për këtë, nuk doja që flokët e mi të bëheshin shpërqendrim”, thotë ajo duke folur për zgjedhjen e saj për të mos e mbajtur këtë model flokësh gjatë dy mandateve të burrit të saj si President.

“Por disa vjet pasi u largova nga Shtëpia e Bardhë, erdhi koha. Doja të përcillja një mesazh, t’i shtoja diskursit të grave me ngjyrë në pozicione të larta pushteti, që edhe kjo është një mënyrë e përshtatshme dhe e bukur për të mbajtur flokët”, pohon Michelle Obama.