DURRËS, 28 janar 2014 –Më në fund, shteti shqiptar kujtohet të mbrojë faunën detare dhe një lloj midhjeje e rrezikuar të zhduket, që nga ana tjetër, kjo sjell dhe pasoja në mjedisin koralor.
TAKIMI
Në një takim tregtarë e pronarë restorantesh, më 27 janar 2014, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti u ka kërkuar të mos shpërndajnë dhe të mos përfshijnë në meny midhjen hurmë. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtuesit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, si dhe specialistë të AKU-së, të cilët janë urdhëruar nga ministri Panariti për të zbatuar pa asnjë ngurrim urdhrin që ndalon vjeljen dhe shpërndarjen e midhjes hurmë. Ministri Panariti u tërhoqi “vëmendjen të gjithë operatorëve të kësaj fushe, që në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojnë vjeljen e produkteve të detit, veçanërisht molusqeve bivalvia, vjelja e të cilëve kërcënon ndjeshëm mjedisin nënujor, posaçërisht shkëmbinjtë nënujorë gëlqerore, por dhe brezin koralor. Është fjala për moluskun lithofaga, apo ai që njihet ndryshe dhe me emrin dateri (i kujtojmë z. Ministër – edhe të peshkimit- se më saktë, sipas fjalorit përkatës terminologjik nga prof. Dhimitër Dhora, në shqip quhet “midhja hurmë” / anglisht “European data mussel”, “date shells”, “date mussels” / latinisht “Lithophaga lithophaga”), vjelja dhe tregtimi i të cilit e dëmton shumë mjedisin nënujor, shkëmbinjtë gëlqerorë dhe brezin koralor të vendit”.
NGA FJALA E MINISTRIT EDMOND PANARITI
“Ministria e Bujqësisë do jetë në krahun tuaj me mbështetje konstante në mënyrë që konsumatorit shqiptar
t’u ofrohen produktet e detit dhe molusqet në sasinë dhe cilësinë e kërkuar, por nga ana tjetër ne jemi të ndërgjegjshëm që përpos nevojës që ka tregu, dhe dëshirës së konsumatorit për t’u furnizuar me produkte të freskëta deti, një detyrim madhor është që kjo të bëhet sipas kërkesave të ligjit. Për këtë arsye siç është i rëndësishëm furnizimi i tregut me produkte të freskëta të detit, po aq e rëndësishme është ruajtja e mjedisit ku këto produkte vilen. Në këtë pikëpamje me lejoni të tërheq vëmendjen e të gjithë operatorëve të kësaj fushe, që në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojnë vjeljen e produkteve të detit, veçanërisht molusqeve bivalvia, vjelja e të cilëve kërcënon ndjeshëm mjedisin nënujor, posaçërisht shkëmbinjtë nënujorë gëlqerore por dhe brezin koralor. Dhe këtu e kam fjalën për moluskun lithofaga-lithofaga, apo ai që njihet ndryshe dhe me emrin dateri, vjelja dhe tregtimi i te cilit dëmton shumë mjedisin nënujor, shkëmbinjtë gëlqerorë dhe brezin koralor të vendit. Për këtë arsye kërkoj bashkëpunimin tuaj thjesht për zbatimin e ligjit që ndalon sikurse në gjithë Evropën vjeljen, tregtimin dhe furnizimin e gjithë rrjetit të restoranteve me këtë lloj molusku. AKU ju ka dërguar njoftim zyrtar tashmë përmes të cilit ju kujton se vjelja e këtij molusku është tërësisht e ndaluar. Mjafton t’ju kujtoj juve dhe konsumatorit shqiptar që duhet të bëhet dhe ai aktor i ndalesës së konsumit dhe të vjeljes së një molusku të tillë se thjesht një pjatë spageti e përgatitur me këtë lloj molusku është ekuivalente me dëmtimin e një metri katror shkëmbi nënujor, ekuivalente me dëmtimin e një metri katror barriere koralore të ujërave të bregdetit tone.
Nuk mund të lejojmë shkretëtirëzimin e bregdetit tonë për hir të një molusku. Kemi ospione të tjera të bollshme për t’i ofruar konsumatorit shqiptar: telinet, vongolat, midhjet që mund të ofrohen në gjithë mënyrat e mundshme, qoftë në pastën me fruta deti apo produkte në forma të ndryshme. Por duhet të heqim dorë përfundimisht nga vjelja e daterit, pasi me një akt të tillë bëhemi bashkëfajtorë në një krim të pariparueshëm ekologjik.
Dëshiroj t’i përgjigjeni sa në shpejt këtij apeli, ndërkohë AKU ka marrë gjithë masat për largimin me çdo kusht nga tregu, nga gjithë sistemi i vjeljes dhe shpërndarjes por edhe tregtimit. U bëj apel gjithë restoranteve të heqin nga menytë e tyre urgjentisht daterin si ofertë ndaj konsumatorit” (http://www.bujqesia.gov.al/al/lajme/aktivitete/ministri-panariti-pret-tregtaret-e-daterit-mos-e-tregtoni-beheni-bashkefajtore-ne-krim).
Info
Midhja hurmëështë një nga frutat e detit më të pëlqyer dhe më të shtrenjtë në Shqipëri. Ashtu si në Kroaci, Itali, Slloveni, Francë, Greqi, Mali i Zi, etj, pjesëmarrëse në Konventën e Bernës,edhe në Shqipëri është përfshirë në vitin 2007 në Listën e Kuqe të Florës dhe Faunës, duke e ndaluar peshkimin e midhjes Lithophaga lithophaga(RENDI MYTILOIDA Familja Mytilidae me status kërcënimiVU A1a).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





