Qendra kulturore MuZEH Lab në Durrës, me 1 prill u bë pikëtakimi mes intelektualësh durrsakë dhe të ftuarit të radhës në projektin Art-Talk “PËRBALLË PUBLIKUT”, Fatmir Jukës, drejtor i Galerisë së Arteve Shkodër, piktor dhe lektor i jashtëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Një takim nën moderimin e Ph.D. Oltsen Gripshit, ku u shtruan për diskutim një mori çeshtjesh rreth artit pamor në Shkodër e jo vetëm.

Artisti Fatmir Juka bëri një rrugëtim në historinë e artit pamor shkodran, nga fillesat të cilat përkonin me periudhën e Rilindjes Evropiane deri në ditët tona. Si është zhvilluar piktura dhe skulptura në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë, duke na ilustruar fakte dhe dëshmi të cilat janë ende sot të pranishme në këtë qytet. Padyshim pjesë shumë e rëndësishme gjatë diskutimit përballë publikut ishte edhe njohja me pikturën e tij, e cila përfaqëson një estetikë tepër të veçantë, aq sa etnografinë e trevave të Veriut e ka përkthyer në semiotikën e pikturës së tij.

Një pikturë të cilën ai e sheh si mjet identifikues, duke u gjendur shpeshherë në një binom midis identitetit në art apo artit si një mundësi për identitet. Një dyzim, i cili ka nxitur gjithmonë brenda artistit imazhet që ai i shpërfaq mbi kanavacë, ku herë mbizotërojnë ngjyrat e ndezura plot dritë mbi sfondet e zeza dhe herë evidentohen disa elementë etnografik, që shndërrohen në simbolika mistike.

Një dalesë po aq e rëndësishme ishte edhe qasja e tij si drejtor i Galerisë së Arteve Shkodër për sa i përket rritjes së audiencës dhe mbi të gjitha zhvillimi i përvitshëm i dy ekspozitave si; Salloni i Vjeshtës, që këtë vit mbërrinë në edicioni e tij të XVI-të dhe Çmimi Idromeno. Dy ekspozita të cilat vitet e fundit falë pjesëmarrjes në to të shumë emrave të shquar të artit pamor shqiptar ka bërë që ato t’i tjekalojnë kufinjt e Shkodrës. Kjo, si një mënyrë e jashtëzakonshme jo vetëm për rritjen e audiencës, por mbi të gjitha ka bërë që Galeria e Arteve Shkodër të shndërrohet si asnjë galeri tjetër të arteve pamore në qytetet e tjera të Shqipërisë, në një hapësirë ekspozuese kombëtare.

Galeria e Arteve Shkodër përpos dy ekspozitave të përvitshme ka edhe një fond të jashtëzakonshëm veprash arti nga artistët më të mirë shqiptar. Një fond, që e pozicionon këtë galeri ndër më të rëndësishmet në Shqipëri pas Galerisë Kombëtare të Arteve  në Tiranë. Fondi i Galerisë së Arteve të Shkodrës përbëhet prej rreth 700 veprash arti si: piktura, skulptura, vizatime dhe fotografi artistike. Vepra të cilat i përkasin një harku kohor rreth njëqind vjetësh, duke filluar nga vitet e para të shekullit të XX, me qasje realiste-laike, ku vlen të përmenden piktorët Kolë Idromeno, Simon Rrota, Ndoc Martini, Andra Kushi dhe Zef Kolombi e deri në ditët tona me artin bashkëkohor.

Bashkëbisedimi nuk ishte vetëm rrëfyes, por edhe krahasimor me galeritë e tjera në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, duke evidentuar mangësinë e bashkëpunimit mes tyre për të shkëmbyer përvoja dhe ekspozita të përbashkëta.

Ph.D. OLTSEN GRIPSHI Artist & Historian Arti