Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dalë me një deklaratë për mediat pas ngjarjes që ndodhi sot në një minierë, ku pas çlirimit të gazit nga gjeneratori humbi ndjenjat një mekanik, dhe shfaqi shqetësime një tjetër punonjës.
Sipas deklaratës, mekaniku është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu theksohet se në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar.
DEKLARATA E PLOTË
Në datë 11 maj 2021, rreth orës 12:30, në galerinë Nr.1240, Zona e Re Batër, Qarku Dibër, e cila shfrytëzohet nga shoqëria “Xhireton” shpk, me Leje minerare nr. 479/2, ka ndodhur një aksident.
Nga të dhënat paraprake të inspektimit të vendngjarjes, rezulton se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim mekaniku SH.D., 45 vjeç ka humbur ndjenjat. Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime.
Prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët kanë qenë 3 punonjës të tjerë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, duke e nxjerrë SH.D., jashtë galerisë. Ai është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar.
Grupet e AKSEM, Inspektorati i Punës dhe Policia e Shtetit janë në vendngjarje dhe po vlerësojnë rrethanat e ngjarjes.





