Nxënësit e shkollës “Mihal Ekonomi” në Durrës, kanë festuar me plot ngjyra, këngë, valle e hare festat e Nëntorit.

Teksa jemi në vigjilje të 28 dhe 29 Nëntorit, nxënësit e kësaj shkolle organizuan sot në ambientet ku marrin dije çdo ditë, festat e Çlirimit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke përcjellë një atmosferë të këndshme mes shokëve e shoqeve, si dhe stafit të mësuesve.

Po ashtu, përgjatë festimeve të sotme u organizua edhe Panairi i Ushqimit. Në tavolina të shumta, ku dilnin gjithëfarë aromash të këndshme, nxënësit kishin servirur gatime të ndryshme të sjella nga shtëpitë.

Dikush me ëmbëlsira, e dikush me byrekë, peshk, rizoto apo tavë me pulë e patate, të gjitha të gatuara në shtëpi me ndihmën e familjarëve, u shtrua një bufe interesante, që mblodhi bashkë nxënësit e mësuesit për të shijuar ushqimet e njëri-tjetrit.