3 dhjetor 2015 – Mesfushori kavajas i Teutës, Meglid Mihani në ndeshjet që është aktivizuar ka treguar se është lider i skuadrës pasi përpos paraqitjeve ai në disa ndeshje ka dhënë asist dhe ka shkëlqyer me ndalime të kundërshtarëve në mesfushë si dhe asistime në fazën ofensivë. Në një intervistë mesfushori i “Djemve të Detit” shprehet shumë i lumtur me aventurën e tij në Durrës, dhe se do të japë më të mirën për këtë ekip, si dhe flet për synimet që ka me skuadrën.

“Jam shumë i lumtur me ecurinë e deritanishme, për Teutën gjithçka ka shkuar mirë dhe kjo më bën të ndihem mirë. Së fundmi kemi arritur një fitore të vështirë ndaj Tërbunit në transfertë, edhe pse duhet ta pranoj që ekipi vendas bëri një paraqitje të shkëlqyer, por falë golit të Maganit morëm tri pikë që na japin besim. Skuadra është shumë e mirë dhe kemi arritur tetë fitore dhe kemi humbur vetëm tre, gjë që është shumë mirë. Por nga eksperienca që kam me skuadra të ndryshme e di që është vetëm një pjesë e rrugës dhe se duhet shumë punë dhe duhet punuar fort për të marrë rezultate të tjera.

Ndeshjet sa vijnë e vështirësohen, tani nuk ka më kundërshtarë të lehtë apo të pathyeshëm, duhet përqendrim e aspak eufori, nëse ecim kështu dhe qëndrojmë me këmbë në tokë vetëm atëherë ekipi do të ketë sukses. Qëllimi ynë është që të grumbullojmë sa më shumë pikë e më pas të bëjmë llogaritë në fund. Superliga këto vite është një ligë shumë e fortë me skuadra tejet cilësore, mjafton të shikojmë ecurinë e skuadrave në kupat e Europës si Skëndërbeu apo Kukësi i para disa sezoneve. Tashmë kampionati po merr bukuri, ka disa skuadra që janë në luftë për titull dhe kjo i jep hije vazhdimësisë. Ndeshja jonë e radhës është me Tiranën dhe ne menjëherë do fillojmë stërvitjen. E dimë që është një kundërshtar i fortë, por siç e thashë të gjithë janë kundërshtarë që duhen vlerësuar, dhe me Tiranën do ti japim rëndësinë e duhur por më parë do përgatitemi siç duhet”, ka mbyllur fantazisti Mihani.

/portali DurresLajm/