Meglid Mihani është i larguari i tretë nga skuadra e Teutës, pasi mesfushori kavajas me eksperiencë ka kërkuar largimin, e klubi durrsak është pajtuar me kërkesën e tij duke i dhënë lejekalimin. Lajmin e konfirmon vetë lojtari që shprehet se është shkëputur nga Teuta, pasi ka tërhequr dokumentacionin ditën e hënë ndërkohë që zbulon edhe ekipin e tij të ri.
“Presidenti Hasanbelliu ka dhënë Ok-in për të marrë dokumentacionin dhe e falënderoj atë për bashkëpunimin si dhe i uroj Teutës suksese në vazhdimësi. Nga ky moment jam lojtar i Pogradecit”, është shprehur Mihani.
Në pjesën e parë të sezonit me Teutën, Mihani është aktivizuar në 16 ndeshje, duke munguar vetëm në dy përballje, për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë, duke qenë një lojtar i rëndësishëm për mesfushën durrsake. Tashmë ai do të ketë një mision të ri, të ndihmojë Pogradecin të ngjitet në Kategorinë Superiore.