Ndonëse kanë kaluar disa vjet nga kjo histori, këngëtarja Mihrije Baraha ka shpërthyer në lot teksa e tregonte atë.

E ftuar në emisionin “Express” në KTV, ajo ka folur për herë të parë për sëmundjen e rëndë që bashkëshorti i saj, kompozitori i njohur Naim Abazi, ka kaluar disa vite më parë.

“Do të ndalem tek një pjesë e jetës timë, para luftës. Atëhere mjekët dyshuan se Naimi vuante nga një sëmundje e rëndë dhe kjo ishte një dramë e vërtetë. Nuk ja uroj askujt. Nuk kam dëshirë ta kujtoj shpesh këtë histori. Por, është normale, jemi të gjithë njerëz prej mishi e gjaku. Platori ishte shumë i vogël, rreth një vjeç e gjysëm, kur Naimit i’u desh t’i nënshtrohej një operacioni të vështirë. Spitali ishte i zënë dhe s’kishte vende. Drama që kam përjetuar unë dhe Naimi është përjetuar nga të gjithë. Momenti më i veshtirë ishte kur Naimi doli nga operacioni, kur prisnim analizën e fundit për të vërtetuar a ishte ajo që dyshonim. Në darkë mbeta me Naimi vetëm në dhomë, kur fëmijët dhe të afërmit kishin ikur, dhe ai më la porosi. Dhe pse unë i thoja ‘Mos më thuaj asgjë!’, ai më thoshte ‘Kujdesu për Platorin, mbaje afër Platorin’. Në fund analizat treguan që nuk kishte gjë. Nuk ja uroj askujt një gjë të tillë!”, është shprehur Mihrija.

Këngëtarja e njohur nga Kosova dhe bashkëshorti i saj janë një nga çiftet më jetëgjatë të skenës shqiptare. Ata janë bashkë prej 24 vitesh dhe e kanë mbështetur njëri-tjetrin në çdo hap të karrierës.