Që nga fillimi i armëpushimit, mijëra palestinezë janë organizuar për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës.

Në mesditë, mijëra njerëz po mbërrinin në Jabalia nga qyteti i Gazës në territorin verior palestinez e të tjerë po ktheheshin në zonat e Rafah dhe Khan Younès.

Sipas mediave të huaja, njerëzit janë shprehur se ndjehen shumë të lumtur pas arritjes së armëpushimit.

“Dua të kthehem dhe të puth tokën dhe dheun e Gazës. Kam mall për Gazën dhe mall për të dashurit tanë, dhe jam e trishtuar për ata që na lanë”, tha një nga banoret.

Kujtojmë se armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian hyri në fuqi këtë të dielë.

Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra që do t’i lirojë më 19 janar.