Mijëra protestues gjeorgjianë kanë formuar një zinxhir njerëzor në kryeqytetin Tbilisi, përpara një përballjeje politike ndërsa presidenti i ri përgatitet për betimin.

Inaugurimi i një presidenti të ri, ish-futbollisti i Mançester Sitit, Mikheil Kavelashvili, i cili shihet si aleat i partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane”, pritet të ndodhë të dielën.

Por kreu aktual i shtetit, Salome Zourabichvili, po refuzon të japë dorëheqjen, duke e përshkruar zgjedhjen e tij si të paligjshme. “Ëndrra Gjeorgjiane”, e cila ka qenë në pushtet për 12 vjet, fitoi zgjedhjet parlamentare në tetor, por fitorja u kundërshtua nga akuzat për mashtrim dhe që atëherë ka pasur protesta.

Katër grupet kryesore të opozitës kanë refuzuar Kavelashvilin dhe kanë bojkotuar parlamentin. Ende është e paqartë se si do të zgjidhet problemi. Protestuesit, duke valëvitur flamujt e Gjeorgjisë dhe të BE-së, formuan një zinxhir njerëzor që shtrihej në kilometra të shtunën.

“Unë jam në rrugë së bashku me të gjithë familjen time duke u përpjekur disi ta heqim këtë vend të vogël nga kthetrat e perandorisë ruse,” – tha një protestues për Associated Press.