Në mbarë Gjermaninë, qytetarë të shumtë janë bashkuar në marshimet tradicionale të Pashkëve për paqe, duke kërkuar ndërprerjen e konflikteve globale dhe një politikë të jashtme më të orientuar drejt dialogut dhe diplomacisë.

Në Berlin, rreth 2 mijë protestues u mblodhën në Mariannenplatz për të marrë pjesë në një marshim të organizuar nga koalicione të shoqërisë civile. Me pankarta dhe slogane që bënin thirrje për paqe dhe ndalimin e furnizimeve me armë në zonat e luftës, demonstruesit apeluan për një të ardhme më të qëndrueshme.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për një politikë të jashtme paqësore, duke refuzuar instalimin e raketave amerikane në Gjermani dhe duke i kërkuar qeverisë gjermane të angazhohet më shumë në rrugë paqësore për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.

Ato janë zhvilluar edhe në qytetet Hanover, Mynih, Bremen dhe Kassel, ku mesazhi kryesor ka qenë uniteti kundër luftës.

Marshimet e Pashkëve për paqe janë një traditë që vazhdon prej dekadash në Gjermani, duke bashkuar qytetarët në një zë kundër dhunës dhe militarizmit në të gjithë botën.