… Durrësi do të na duket më ndryshe pa ty. Sepse njerëzit si ty, janë dritat e vërteta të një qyteti. Dhe kur shuhet një dritë e tillë, errësohet pak edhe qielli i kujtesës sonë. Por emri yt do të mbetet. Si një shembull. Si një kujtim i bukur. Si një mësim për jetën…
Nga BUJAR QESJA
Ka lajme që bien mbi qytet, si një heshtje e rëndë. Nuk bëjnë zhurmë, nuk tronditin me britma, por e zbresin dhimbjen ngadalë në shpirt. Një i tillë është edhe lajmi i largimit nga jeta të doktor Mikel Mukës, njërit prej njerëzve më të mirë që ka pasur Durrësi ynë.
Kur ikin njerëz të tillë, qyteti duket sikur zbehet pak. Sikur drita e tij bëhet më e vakët. Sikur një nga faqet më të bukura të librit të qytetarisë durrsake, mbyllet me një ndjenjë mallëngjimi. Durrësi sot është pak më i varfër. Durrësi sot është pak më i heshtur. Durrësi sot është pa Mikel Mukën. Dhe kjo mungesë ndihet.
Mikel Muka ishte nga ata njerëz, që nuk bëjnë zhurmë në jetë, por lënë gjurmë të thella. Ishte nga ata që nuk kërkojnë vëmendje, por fitojnë respektin e të gjithëve. Ishte nga ata që jetojnë drejt, thjesht, pa e tepruar me fjalë dhe pa u shmangur asnjëherë nga rruga e ndershmërisë.
Në qytetin tonë, ku kanë jetuar shumë figura të nderuara, Mikel Muka zinte vend në atë kategori të rrallë njerëzish, që përfaqësojnë qytetarinë e pastër durrsake. Ishte një libër i hapur i kësaj qytetarie.
Një jetë e ndërtuar mbi punën, korrektesën, përkushtimin dhe respektin për njeriun. I lindur në fund të vitit 1929, erdhi në jetë në një familje, që kishte kulturën e punës dhe të thjeshtësisë.
Babai i tij, Tod Muka, ishte nga kopshtarët e njohur të Durrësit, njeri që fliste me bimët dhe që e kishte bërë tokën mikeshë të përditshme. Djali i vogël, Mikel, e shikonte këtë me sytë e një fëmije, që mësonte pa e ditur se po mësonte. Pa dashur po merrte prej babait dashurinë për punën, për tokën dhe për përkushtimin. Dhe këto cilësi, do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës.
Rinia e tij ishte energjike, e mbushur me pasion për sportin dhe për dijen. Futbolli ishte nga dashuritë e mëdha. Ishte sulmues i shpejtë, i guximshëm, lojtar që dinte të vraponte drejt portës me vendosmëri.
Por në të njëjtën kohë, kishte zgjedhur edhe një rrugë tjetër, shumë më të rëndësishme: rrugën e mjekësisë. Studimet për mjekësi në Bashkimin Sovjetik, do ta përgatisnin për një profesion që kërkon jo vetëm dije, por edhe zemër.
Dhe Mikel Muka kishte shumë zemër. Kur u kthye në Shqipëri, nuk kërkoi privilegje. Nuk kërkoi poste. Nuk kërkoi lavdi. Kërkoi vetëm një gjë, të punonte. Filloi si mjek në zonën e Kuçit, duke u përballur me vështirësi, me mungesa, me sfida të shumta. Por ishte nga ata njerëz, që nuk ankohen.
Punonte. Studionte. Eksperimentonte. Gjithçka më pas zbatohej në praktikë. Kishte përkushtim, seriozitet dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie. Më pas u kthye në Durrës, ku do të shërbente për shumë vite, si mjek mikrobiolog në qendrën sanitare të qytetit.
Breza të tërë qytetarësh, e kanë njohur për korrektesën profesionale dhe për mirësinë njerëzore. Doktor Mikel Muka, nuk ngriti kurrë zërin. Nuk e teproi kurrë me fjalë. Fliste vetëm me punën e tij.
Dhe kjo ishte gjuha më e bukur. Por jeta nuk ishte vetëm mjekësia. Ishte edhe sportisti i përkushtuar, që për shumë vite veshi fanellën e ekipit “Lokomotiva” të Durrësit. Në fushë ishte po aq korrekt sa në profesion. I shpejtë, i zgjuar në lojë dhe gjithmonë i respektuar nga shokët.
Thuhet se golin e parë në stadiumin “Niko Dovana”, e shënoi pikërisht ai, në një ndeshje simbolike ndërmjet veteranëve dhe ekipit të parë. Ishte moment, që mbeti në kujtesën e sportit durrsak.
Por nga dashuritë më të bukura të jetës, mbeti gjithmonë kopështi. Edhe në moshë të thyer, punonte në bahçen e shtëpisë. Me një përkushtim të rrallë. Mbillte pemë, perime, kujdesej për çdo bimë, sikur të ishin krijesa të gjallë, që kishin nevojë për dashuri.
Shpesh thoshte: “Bima është si njeriu. Po i shërbeve, të shërben.” Dhe kështu bënte çdo ditë. Punonte në tokë, në ajër të pastër, me një qetësi që i jepte jetë edhe vetë jetës. Ajo që e bënte të veçantë Mikel Mukën, ishte mënyra si jetonte.
I rregullt. I disiplinuar. I përmbajtur. Asnjëherë nuk preku cigaren. Asnjëherë nuk e bëri mik alkoolin. Jetoi me stil jetese të pastër, të matur dhe të shëndetshëm. Edhe në moshë shumë të madhe, ruante energji që habiste këdo. Ishte gjithmonë në lëvizje. Gjithmonë në punë. Sikur koha nuk kishte pushtet mbi të.
Por mbi të gjitha, ishte një qytetar i madh. I sjellshëm me të gjithë. I respektueshëm.
I matur në çdo bisedë. Nuk shante. Nuk fyente. Nuk mburrej. Dëgjonte më shumë sesa fliste. Dhe këto janë cilësi të rralla të njerëzve të mençur.
Familja ishte tjetër krenari. Me bashkëshorten Alma ndërtuan një familje të dashur dhe të respektuar. Djali Ardiani, arkitekt i njohur dhe vajza Majlinda, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, janë vazhdimësia e një tradite qytetare dhe intelektuale. Ndërsa nipërit dhe mbesat, ishin gëzimi më i madh i gjyshit të tyre. Një kurorë e bukur, e një jete të jetuar me dinjitet.
Dhe tani ai është larguar. Në heshtje. Ashtu siç jetoi. Pa bujë. Pa zhurmë. Por duke lënë pas një trashëgimi të madhe, shembullin e një njeriu të mirë. Durrësi do ta kujtojë gjatë Mikel Mukën. Do ta kujtojë si doktorin korrekt. Si sportistin e pasionuar. Si kopështarin që fliste me bimët. Si qytetarin e urtë, që shpërndante vetëm respekt dhe mirësi.
Në rrugët e këtij qyteti ka ende njerëz që do të thonë: “Sa njeri i mirë ishte.” Dhe kjo është lavdia më e madhe që mund të fitojë një njeri.
Sot, kur nuk është më mes nesh, duket sikur qyteti ka humbur nga shtyllat e tij të heshtura. Por njerëz të tillë, nuk largohen kurrë plotësisht. Ata mbeten në kujtesë. Mbeten në respektin e qytetarëve. Mbeten në historinë e një qyteti, që ka ditur të lindë njerëz të mirë.
Kur Durrësi përcjell për në amshim doktor Mikel Mukën, qyteti nuk përcjell vetëm një mjek, vetëm një sportist, vetëm një qytetar të mirë. Përcjell një model jete. Një model ndershmërie. Një model përkushtimi. Një model qytetarie. Dhe modeli i tij do të mbetet. Do të mbetet në kujtimet e atyre që e njohën. Në respektin e qytetarëve. Në historinë e vyer të këtij qyteti.
Njerëzit e mirë, nuk largohen asnjëherë plotësisht. Ata mbeten në ndërgjegjen e një shoqërie, si një pasqyrë ku brezat e rinj duhet të shohin veten.
Lamtumirë, mik i joni dhe i prindërve tanë!
Durrësi do të na duket më ndryshe pa ty. Sepse njerëzit si ty, janë dritat e vërteta të një qyteti. Dhe kur shuhet një dritë e tillë, errësohet pak edhe qielli i kujtesës sonë. Por emri yt do të mbetet. Si një shembull. Si një kujtim i bukur. Si një mësim për jetën.
Madhështia e një njeriu matet me një gjë të vetme: sa shumë mirësi ka lënë pas. Dhe ti na e lë këtë, si gjenë më të shtrenjtë.
Bujar Qesja
Durrës: 10 janar 2026





