Durrës, 12 shtator 2014 – Predrag (Miki) Manojlovic, aktor kult në Jugosllavinë titiste e post- titiste, sidomos në filmat e regjisorit Emir Kosturica, si edhe drejtor i Qendrës Serbe të Filmit që nga viti 2009, ishte këtë të premte i pranishëm në një konferencë shtypi në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në kuadrin e e Durrës International Film Summerfest.
Miki me shumë elegancë e kompetencë profesionale iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova si edhe të huajve, që ndjekin festivalin. Këto pyetje kishin të bënin me karrierën e shkuar të Mikit, me planet për të ardhmen e afërt, me bashkëpunimet evropiane të viteve të fundit etj.
Gazetari i “Dyrrah", duke pasur parasysh deklaratat anti-shqiptare dhe anti-NATO të Mikit në vitin 1999, e pyeti z.Manojlovic se si e ndjente veten në këtë vizitë të parë në tokën armike të Shqipërisë. Me shumë elegancë dhe diplomaci z. Manojlovic u përgjegj, që ai nuk është politikan, por artist. Ai theksoi se nuk e konsideron Shqipërinë si tokë armike.
Sinqerisht që të bëhet qejfi që një artist relativisht i shquar jugosllav e serb si z. Predrag Manojlovic ka evoluar në qëndrimet e tij ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
ODLICNO MIKI! (Të lumtë Miki)
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





