PRRENJAS, 21 mars 2013– Pjesa e errët për monstrën e Laprakës ka mbetur periudha e fëmijërisë. Mjekët psikatër janë shprehur se zanafilla e çrregullimit të tij mund të ketë nisur pikërisht prej aty. Askush më mirë se Fatmir Bogdani, një prej shokëve të fëmijërisë i rritur në një pallat me Adrian Prrenjasin, nuk mund të zbardhë më shumë detaje nga ajo periudhë. Në intervistën e tij për gazetën, ai rrëfen për natyrën e pedofilit që në moshën 10-vjeçare, tre abuzimet me të mitur që i di gjithë qyteti dhe zhdukjen e tij një ditë para dasmës.
Ju thatë se e keni pasur shok fëmijërie Ardian Prrenjasin, e njihni që kur ka qenë 10 vjeç, mund të na tregoni diçka për këtë periudhë? Si sillej ai?
Unë jam rritur me të, kemi qenë në një hyrje pallati, në një shkallë në vitin ‘78, që kur kam ardhur në Prrenjas. Kemi qenë në klasë të 4-t 5 fëmijë. Ata kishin ardhur tri vite para meje nga Korça. Në shkollë nuk ishim bashkë, ai ishte një vit më i madh se unë. Rrinim bashkë gjithë kohës bashkë me shokë të tjerë të po të njëjtës shkallë. Nuk kemi qenë grup i gjerë, pak shokë. Edhe pse atëherë nuk është se bënte shumë muhabete asnjëri prej nesh, ai ka qenë më ndryshe. Jo gjithmonë rrinte me ne. Rrinte i veçuar, i mbyllur. Rrinte me qentë. Ç’shihte qen në rrugë, u jepte ndonjë gjë të vogël për të ngrënë sa të miqësohej e me ta rrinte. Dilte hipte nëpër pemë. E la shkollën në klasë të 8-të, nuk ka bërë fare gjimnaz. Pastaj filluam punë, deri në ‘88, kohë kur iku ushtar. Ne e thërrisnim kur shkonim luanim futboll apo kur dilnim nëpër fshatra shëtitje, por edhe sajonte gjëra për të na shmangur, gjente gënjeshtra. Ne nuk dinim të bënim biseda aventurash atëherë, as e dinim si fjalë. Jo jam pa qejf, jo s’vij.
Kishte ndonjë sjellje të çuditshme që ju ka bërë të dyshoni se mund të kishte probleme?
Para se të shkonte në ushtri, nga 365 ditë që ka viti, mund të rrinim 200 ditë. Rrinte pak kohë me njerëzit. Dilte nëpër këto pishat, ecte rrugës me qentë, me ta miqësohej shumë shpejt. Vinte darka, hynte në shtëpi. Ishte i vetmuar. Sjellje të keqe me ne nuk ka pasur ndonjëherë. As ai vetë besoj se nuk e ka menduar veten që të përfundonte në këtë pikë. Shihte vetëm punën e vet, por se ç’bënte e se ç’mendonte në atë mendjen e vet, këtë gjë jam i bindur që nuk mund ta dijë njeri. Nga fëmijëria në vitet ’78-’79 ishim 10 vjeç, merret me mend që s’ka shumë për të treguar. Ata kanë qenë shumë të varfër në familje. Me ne rrinte gjithnjë, por shenja të tilla as nuk i shkonin në mend njeriu. Edhe para se të ikte ushtar, ka qenë shumë i vetmuar. Pasi mbaroi klasën e tetë, hyri në punë në Ndërmarrjen e kullotave. Edhe në shtëpi nuk reagonte. Niveli i bisedave tona ishte ku do luanim nesër, kështu që atëherë nuk është se mund të parashikoje ndonjë gjë.
Po më pas kur u rrit, gjatë adoleshencës, pati ndryshime në raport me ju?
E vetmja gjë e çuditshme me tipin e tij, që filloi të na dukej e tillë pasi po rriteshim pak, ishte që kur shkonim nga pishat e bënim ndonjë bisedë rreth femrave, ai reagonte menjëherë. Thoshim për shembull a të kishim ndonjë femër këtu me vete, ai reagonte, thoshte jo, ç’femër, për çfarë i duam femrat. Të kishim për shembull disa zemra e të jetonim pafundësisht. Bënte shumë filozofi. Gjëra që ne nuk i mendonim.
Për çfarë gjërash e keni fjalën?
Ju thashë pra, mënyra si fliste. Thoshte sikur të arratisesha të ikja larg. Filozofonte gjëra pa lidhje me realitetin… edhe sot i kujtojmë fantazitë e tij. Nuk kishte të njëjtat mendime me ne. Nganjëherë i thoshim: ohu ti je kot fare, s’je për gjë.
Po me familjen si i ka pasur marrëdhëniet?
Marrëdhëniet me familjen në fillim i kishte të mira, pas rastit të parë u keqësuan gjërat. Familja e largoi, ai iku në Greqi, përsëri në burg, pas kthimit nga Greqia sërish familja e afroi. E ndihmoi të riniste jetën me mundësitë që kishin. Sa për familjen e re që flitet në media, ne nuk dimë asgjë këtu në qytet. Këto janë produkte të medias, ne nuk dimë të ketë pasur familje. Familja e tij e vetme ishte nëna, babai, motrat e vëllezërit. Edhe tani që u hap llafi që u ngujuan, ma hapën derën, shkova brenda i takova për respekt të asaj buke që kemi ngrënë më shumë. Ata vetëm e shanin, “s’duam ta shohim, le ta vrasin”. E ëma këto ditë ka kaluar parainfarkt, edhe pse ka qenë që më parë sëmurë. Unë ndenja me të vëllezërit veç, nëna e vet ishte andej nga dhoma.
Ka pasur ndonjë histori dashurie në atë periudhë?
Ai s’ka pasur asnjëherë histori me femra, për aq sa di unë. As nuk fliste për femrat, jua thashë. Vetëm me çuna, për femra s’ka pasur dobësi kurrë. As shoqe, asgjë nuk ka pasur. Ne të gjithë kishim historitë tona të vogla. Sikur të kishte telefona atëherë, le të themi nga 20 numra telefoni, asnjë emër femre nuk do figuronte, ta jap unë me garanci. Ne kishim qejfet tona në shkollë, edhe shoqe ngacmonim, ai kurrë. Edhe kur hyri demokracia.
A ishte agresiv si tip?
Agresiv s’ka qenë asnjëherë. Edhe kur pinte, shihte punën e vet. Gënjeshtrat po, i ka pasur gjithmonë, i sajonte e gjente pretekste përherë për të dalë nga situata. Vetëm ky në shtëpinë e tij, asnjë tjetër s’ka lidhje me të. Familja e tij mund të jetë e vetmja e tillë, aq e mirë, në Prrenjas. I ati na thoshte shpesh, kur na gjente që rrinim kot përpara pallatit: “A do mblidhni mendjen të punoni të sistemoni jetën e veten tuaj?” Ju mund të pyesni kë të doni, por e vërteta e tij dhe e familjes së tij është vetëm kjo. Në media mund të qarkullojnë shumë gjëra, por mund të verifikoni që përveç fjalëve, as familjarët nuk kanë për t’ju thënë gjë tjetër.
Familjarët kanë treguar që shenjat e para të pedofilisë i shfaqi që pas kthimit nga ushtria, dini gjë për ndonjë ngjarje që mund të ketë ndodhur në atë kohë dhe që mund t’i ketë shkaktuar traumë atij?
Jo, për pjesën e ushtrisë se çfarë ka ndodhur nuk di gjë, sepse unë e kam bërë në vend tjetër. Ata shokët e ushtrisë së tij nuk janë, dy që i njoh unë janë larguar jashtë vendit. Pastaj e ka bërë ushtrinë nga veriu, s’ka lidhje me Prrenjasin ajo kohë e tij. Ky madje ka qënë në repart shembullor, sepse familja ka qenë me biografi të mirë. I ati ishte punëtor, autoritar dhe njeri shumë i mirë Ndihmonte gjithë qytetin me bukë kur kishte mundësi, edhe nga e tija e hiqte për të ndihmuar njerëzit.
Ndërkohë që abuzimi i tij i parë ka qenë në vitin 1989 me një fëmijë 10-vjec në mos gaboj…
Po, është e vërtetë. Pas kthimit nga ushtria në 1989-ën ndodhi rasti i parë, këtu në Prrenjas u bë mjaft zhurmë në atë kohë. Familja e atij djalit e denoncoi dhe u kap nga policia e u dënua me burg. Madje, se se mbaj mend, ata u larguan nga qyteti fare. Edhe atë djalin në lagje e kishim. U dënua me 4 vjet burg dhe e ka vuajtur një pjesë të dënimit, se kam dëgjuar që thonë nuk është dënuar. U dërgua në një burg në Kavajë për rastin e parë, këtë e di gjithë Prrenjasi. Ishte menjëherë sa doli nga ushtria. Pavarësisht se nuk i bëri të gjitha për shkak të përmbysjes së sistemit. Pas ardhjes nga Kavaja ka ikur në Greqi, ku ndodhi edhe rasti i dytë për të cilin nuk dimë hollësira.
Ju thoni se një ditë para dasmës abuzoi me të miturin, u kap në artë kohë?
Jo, u njoftuan krushqit nga Elbasani dhe ata u kthyen nga rruga, pra martesa nuk u bë. Pas këtij rasti, në 89-ën ai nuk ka figuruar më këtu në qytet. Madje, ne e dinim të arratisur, e dinim të fshehur sepse e kërkonin, as e dinim që mund të ishte në Tiranë. Për më tepër kur tha që ka 3 fëmijë, thamë do jetë tjetër. Vetëm kur doli prejardhja e tij dhe fotografia, atëherë e identifikuam.
Po abuzimi me shokun e nipit kur ndodhi, si ka qënë ngjarja?
Di vetëm që, pasi erdhi nga Greqia. Familja u përpoq ta fejojë dhe i gjetën një vajzë nga Elbasani. Nuk fliste me asnjë, ne e përshëndesnim, i flisnim po as merrte as jepte. Nuk merrte pjesë në asgjë, as në tavolina kur mblidheshim e pinim, ai pinte i vetmuar. Neve na u bë qejfi kur do martohej dhe i thoshim hë mo Tani do na ftosh, do pimë a s’do pimë. Atë ditë që do të martoheshin, vetëm një ditë më parë ndodhi dhe rasti i tretë me shokun e nipit.
Flitet se ka abuzuar edhe me nipin në të njejtën periudhë
Këto janë mashtrime. Ai të nipit nuk i ka bërë gjë, ndoshta e ka përdorur për të afruar atë fëmijën tjetër, shokun e tij. Fëmijët i coi në pyll duke i gënjyer dhe i mbajti për disa orë aty, pastaj i lëshoi. U njoftua policia dhe që prej vitit 1998 ne nuk dimë më asgjë për të. Nuk ka ardhur asnjëherë. Për nipin është gjynah që hidhet baltë mbi familjen e tij, shkaktohen probleme Nuk është e vërtetë kjo gjë.
/Panorama/





