Një ditë para mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të parashtohen ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, deputetja Sara Mila shprehu edhe një herë qëndrimin e partisë, se gjithçka lidhet me ndarjen e qartë të pushteteve dhe jo me mbrojtjen e një personi nga drejtësia.

“10 vite nuk janë pak, por nuk janë as shumë për të maturuar një reformë e cila nisi si kusht themelor për anëtarësim në BE, por edhe si domosdoshmëri për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por, ajo që ka ndodhur në këto vite, gjatë maturimit, sistemi i drejtësisë reflekton disa problematika mbi rolin e sidomos në ndasinë absolutisht që çfarë roli ka gjyqësori, çfarë roli ka ekzekutivi dhe çfarë roli ka legjislativi. Ajo çfarë ne presim të bëhet me anë të nismës që Kryeministri referoi për mbledhjen e nesërme është thjesht një qartësim. Gjyqësori nuk mund të bëjë politikë dhe të vendosë atë që praktikisht e ka në dorë ekzekutivi për ta bërë”, tha Mila në A2CNN.

Sipas saj, “kjo është betejë parimore, ku Gjyqësori nuk mund të pezullojë një ministër në detyrë pa pasur vendim të formës së prerë”.

“Unë nuk jam dakord që ne ti referohemi një emri specifik. PS nuk bën beteja politike për asnjë emër specifik. Kjo është një betejë për një normë, një betejë parimore, është një betejë ku gjyqësori nuk mund të bëjë politikë, ku gjyqësori të ndërpresë e të pezullojë një ministër pa patur një vendim të formës së prerë e të ndërhyjë në politikën e vendit”, tha ajo.

Ajo shtoi se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e kryeminstrit Edi Rama nga ai i 10 viteve më parë kur u ndërmorr Reforma në Drejtësi.

“PS nëse do të kthehej 10 vite pas, do të bënte ekzaktësisht të njëjtën gjë. Reforma në Drejtësi është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Shqipërisë, sidomos kur të maturohet siç duhet. Nuk ka ndryshim diskursi, por vendosje të pikave mbi “i” për momente shumë të rëndësishme të ndarjes institucionale që nuk shënojnë vetëm ngjarjet e sotme, por sidomos të ardhmen. Çfarë ndodh nëse një ditë një prokuror apo gjykatës vendos të pezullojë Presidentin, apo kryetarin e KLSH-së. Ky nuk është një standard i vendosur për një ministër X apo Y, por është një standard për një funskion që i takon për ta zgjidhur ekzekutivi”, theksoi Mila.