Largimi gjithnjë e më i mundshëm i Gonzalo Higuainit, detyron Milanin të ndërhyjë fuqishëm në merkato. Nga Londra e bëjnë të kryer afrimin e argjentinasit (huazim deri në 2020-tën), madje ka nga ato burime që konfirmojnë edhe një takim për vizitat mjekësore në 36 orët e ardhshme. Kuqezinjtë nga ana e tyre nuk qëndrojnë duarkryq edhe pse sipas kontratës, mund të vendosin veton në transferimin e “El Pipita”-s.
Prej ditësh emri në “modë” është ai i Kristof Piatek (nga polonishtja shqiptohet Piontek që do të thotë e premte). Pikërisht, dita e emrit mund të rezultojë vendimtare për 22-vjeçarin që në 21 ndeshjet sezonale me fanellën e Xhenoas ka shënuar 19 herë, mes Serisë A dhe Kupës së Italisë. Bomberi kërkohet nga shumë klube, me Milanin e Realin e Madridit në krye.Drejtuesit xhenoanë kanë pranuar sondazhet në adresë të polakut, teksa presidenti Preciozi dje saktësoi: “Interes për Kristofin kanë shfaqur disa klube, por ende nuk na ka ardhur ndonjë ofertë zyrtare.
Nëse vjen do ta shqyrtojmë, por theksoj se Xhenoa nuk ka nevojë për të shitur lojtarë aktualisht. Nëse vjen ndonjë ofertë “monstër”, atëherë do të bëjmë vlerësimet tona.”Në mos një hapësirë për bisedime, ajo e Preciozit duket si një ftesë për klubet e interesuara që të bëjnë përpara. Thirrjes i është përgjigjur Uest Hemi, që ka marrë një refuzim të prerë ndaj një oferte prej 30 milionë eurosh. Leonardo vijon punën me ritëm të lartë, teksa nuk udhëtoi në Arabi për Superkupën, vetëm për të qenë sa më në brendësi të çështjeve të merkatos së Milanit për vijën e parë.
Nga ana e tij Piontek është gati për një aventurë larg Gjenovës. Milani është preferenca e tij, teksa duket se ka rënë dakord edhe për pagën në rast transferimi. 2 milionë euro në sezon për 4 vite e gjysmë kontratë, kjo është ajo çka i ofron “Djalli”, teksa Xhenoa do të përfitojë 45 milionë euro për kartonin, me formulën e shitjes ende për t’u përcaktuar.





