Kuqezinjtë mundin në “Franchi” 2-1 Fiorentinën falë Leaos, +6 pikë ndaj Juventues

Milani mundi 2-1 Fiorentinën në javën e 30-të të Serisë A, duke e çuar Juventusin në -6 dhe duke “blinduar” vendin e dytë në renditje.

Për “Djallin” kjo ishte një fitore e merituar, e ardhur falë Rafael Leaos.

Pas një pjese të parë ku kuqezinjtë dominuan, por nuk gjetën golin, rezultati u zhbllokua nga Loftus-Çik pas asistit të portugezit në të 47’.

Tri minuta më pas, Dankan barazoi rezultatin. Por Leao realizoi rrjetën e fitores në të 53.

Me sfidën kundër vjollcëve, sulmuesi 24-vjeçar shkon në 200 takime me fanellën kuqezi, ku ka shënuar 54 gola dhe 48 asiste.

 Për trajnerin e Milanit Stefano Pioli, sfida ndaj Fiorentinës sjell gjithmonë emocione.

“Është gjithnjë kënaqësi të rikthehem në këtë ambient. Jemi në një moment mjaft mirë, që ka tre muaj që zgjat. Ne po rritemi, po përmirësohemi në performancë dhe në kompaktësi. Nëse mbrohemi mirë, atëherë mund të ndëshkojmë çdo ekip. Pastaj renditja atje është! Nuk mendoj se ka 14 pikë mes nesh dhe Interit, por ata shfrytëzuan muajin tonë, ku ne morëm vetëm 2 pikë dhe ata grumbulluan 12. Këtu filloi diferenca!”

Pieoli e bëri të qartë se ai nuk ka ndërmend që të largohet nga Milani, pasi kuqezinjtë janë një klub që nuk mund të lihen.