Sonny Wu. Më në fund ka ardhur një emër dhe mbiemër mbrapa hijeve kineze, që synojnë të blejnë Milan-in. Ka qenë “Bloomberg”, gjiganti i informacioneve ekonomike amerikane, që ka zbuluar identitetin, i cili është konfirmuar edhe nga “Gazzetta dello Sport”. Numri një i “GRS Capital”, kompani investimesh, është në krye të grupit që do të blejë klubin kuqezi, ose që, të paktën, po negocion me Fininvest dhe Silvio Berlusconi-n. Të vetmet deklarata të dhëna kohët e fundit nga Sonny Wu kanë lidhje me një takim të programuar me Berlusconi-n “për të lidhur një partneritet në tregjet globale”. Asgjë më shumë. Por, sipas “Bloomberg”, pasi i ka propozuar Berlusconi-t blerjen e 60% të kuotave, tani grupi kinez synon kontrollin total të klubit, duke e vlerësuar 750 milionë euro, bashkë me borxhet. Në të kaluarën Sonny Wu ka provuar të zotërojë edhe kompaninë “Philips Lumileds”, por pa sukses. Tani ka ndryshuar drejtim dhe prej dy vitesh është në kontakt me Berlusconi-n. Bashkë me të është edhe Steven Zheng, një tjetër biznesmen kinez, i cili vepron në fushën e energjisë diellore, pikërisht si Wu dhe si Nicholas Gancikoff, këshilltari i grupit që, ndryshe nga dy investitorët e tjerë, ka dalë hapur në lidhje me blerjen e klubit milanez. Në pritje që Sonny Wu dhe Steven Zheng të dalin në dritë, Milan, për momentin, ka bllokuar çdo lëvizje në merkato. Firma e marrëveshjes paraprake ka shumë mundësi të vijë më 31 korrik dhe në atë pikë kuqezinjtë do të kenë vetëm një muaj kohë për t’i dhuruar Montella-s përforcimet e duhura pa qenë e nevojshme të sakrifikohet Carlos Bacca.