17 shkurt 2015 –  Pas Interit edhe kështjella Milan mund të bjerë. Një ofertë faraonike nga Bangkoku mund të bindë presidentin Silvio Berlusconi të shesë pjesën më të madhe të aksioneve. Njeriu që ëndërron të marrë drejtimin e shoqërisë kuqezi është tajlandezi Bee Taechaubol, i cili konfirmon ofertën prej 1 miliardë Eurosh. Lajmin e bën të ditur agjencia italiane e lajmeve Ansa, e cila i referohet gazetës "Bangkok Post". 41-vjeçari Taechaubol kryeson një grup financiar të quajtur "Thai Prime" dhe ai ka konfirmuar nisjen e bisedimeve me drejtuesit aktualë për të blerë shumicën e aksioneve që do t'i lejonte drejtimin e Milanit. Ai shton gjithashtu se ka shumë besim që kjo marrëveshje mund të mbyllet gjatë ditëve të ardhshme por nuk zbuloi detaje të tjera lidhur me operacionin.

Të shtunën kompania "Fininvest" mohoi negociatat pasi një lajmi të publikuar në  "La Repubblica", gazetë që zbuloi prejardhjen tajlandeze të parave, por nuk bëri të ditur emrin e pretendentit që kërkon të marrë frenat e shoqërisë. Gjatë viteve të fundit, është folur shpesh herë për ndryshimin e pronësisë së klubit milanez, por presidenti Berlusconi nuk ka vendosur të hedhë hapin final, duke qartësuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shoqëria që e ngriti në nivelet më të larta të futbollit botëror. Gjithsesi, Milani po vuan mungesën e likuiditetit, çka ka bërë që klubi të humbasë terren, duke kaluar një nga periudhat më të errëta të epokës Berlusconi.