Për dy vite me radhë, Milani provoi të afrojë mesfushorin kroat Ivan Rakitic, por për arsye të ndryshme negociatat me Barcelonën dështuan, ndërsa tani drejtuesit e kuqezinjve janë gati për një tjetër sulm të tretë, që mund të jetë edhe vendimtari.
Sipas mediave italiane, Ivan Gazidis ka gati një projekt për të afruar sa më shumë lojtarë të rinj te Milani, por është i bindur që skuadra ka nevojë edhe për ndonjë element me eksperiencë, rol që dëshiron t’ia besojë pikërisht kroatit.
Ky i fundit nuk bën më pjesë në planet e Barcelonës dhe kartoni vlerësohet rreth 25 milionë euro, shifër kjo e përballueshme nga arkat e Milanit, ndërsa problem për momentin mbetet vetëm paga e Rakitic, që është rreth 8 milionë euro në sezon.
Sigurisht që te Milani nuk e kanë luksin të paguajnë shifra të tilla, por Gazidis ka ndërmend të luajë me kohëzgjatjen e kontratës, pasi u ka ofruar menaxherëve të kroatit një marrëveshje 4-vjeçare, me pagë prej 5 milionë eurosh në sezon.
Rakitic është një futbollist me mjaft eksperiencë në arenën ndërkombëtare dhe do të ndihmonte jo pak emrat e rinj te Milani, por Gazidis duhet të bëjë llogaritë edhe me konkurrencën, pasi kroati ndiqet edhe nga Interi, Sevilla, PSG, etj.





