Milani arriti ndaj Sampdorias fitoren e tretë radhazi në Serinë A dhe të tetën në 10 takimet e këtij sezoni. Numrat e “Djallit” me të drejtë kanë nisur të trembin rivalët (Interi ka pesë pikë më pak, ndërsa Napoli e Juventusi 6).

Suksesi 1-2 në fushën e gjenovezëve vërteton momentin magjik që po përjetojnë djemtë e Stefano Piolit, të cilët edhe kualifikimin në Europa League e kanë siguruar në ndeshjen e parafundit, ndonëse mbetet për t’u parë nëse do ta mbyllin në vendin e parë fazën e grupeve (Lille ka një pikë më shumë).

26 pikë nga 30 në dispozicion është një rekord i frikshëm që kujton një futboll magjik të së kaluarës: vetëm në sezonin 1954/55 kuqezinjtë arritën të bënin më mirë në këtë pikë të kampionatit.Në atë sezon Milani kishte marrë në 10 ndeshjet e para nëntë fitore dhe një barazim në derbi dhe në fund erdhi kënaqësia e fitimit të “Scudettos” së pestë. A do të ndodhë e njëjta gjë me Ibrahimovicin me shokë?

Trajneri Stefano Pioli, edhe pas fitores së fundit, ruajti një profil modest. Ai deklaroi pas ndeshjes së për momentin janë skuadra të tjera më të forta se Milani i tij.

“Edhe rezultatet e kësaj jave na tregojnë se skuadrat e forta po vijnë. Interi, Juventusi dhe Napoli mbeten më të fortët. Si mund të mendoni se Juventusi nuk do të jetë favorit? Si mund të mendoni se Interi nuk mund të luftojë për “Scudetton” deri në fund?”Pioli, i pyetur për merkaton e janarit dhe se nuk mendon në këtë moment për lojtarët që mund të përforcojnë skuadrën por se si të rrisë futbollistët aktualë të Milanit.