Milani duket se ka shpëtuar mirë nga një situatë e pakëndshme me sulmuesin Viktor Bonifejs. Futbollisti në fjalë, i huazuar nga Bajer Leverkusen te Verder Bremen, ka mbyllur para kohe etapën me këtë të fundit i cili e ka kthyer mbrapsht në klubin e tij.

Sipas “Bild”, të dy klubet kanë këshilluar futbollistin që t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për të zgjidhur problemet me dëmtimet e tij në gju. Kjo do të mbyllte praktikisht sezonin për lojtarin, i cili ka luajtur 11 ndeshje duke dhënë vetëm 2 asiste me fanellën e Verder Bremen. Duket se këto janë problemet të cilat shtynë Milanin që të refuzonte firmën me lojtarin edhe pse e solli deri në Itali për të nënshkruar me të.

Akordi ishte për huazim me të drejtë blerje për 30 milionë euro, por pas vizitave mjekësore, klubi italian u tërhoq, duke lënë të kuptohet se ai nuk kishte kaluar disa teste fizike dhe kishte probleme shëndetësore, edhe pse lojtari vetë mohoi të kishte pasur të tilla. Tashmë Bonifejs do të jetë i detyruar të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të zgjidhur këto probleme, por në mediat gjermane insistojnë se nuk është opsioni i vetëm që po mendon sulmuesi. Lojtarit i është bërë e ditur se ka një problem shumë serioz në gju dhe ai po merr në konsiderate idenë që të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur, ndonëse është vetëm 25 vjeç.