Tifozët e Milanit kanë një ëndërr, ose më mirë një kërkesë për merkaton: Andrea Beloti. Përveçse është një bomber i vërtetë, “Gallo” ka deklaruar se është një tifoz i Milanit. Por të bindësh Torinon është shumë e vështirë dhe për këtë gjë do të nevojitet një mrekulli. Pavarësisht kësaj, drejtuesit kuqezi do ta bëjnë një tentativë.Sipas gazetës “Il Giorno”, ka menduar një strategji për të arritur te sulmuesi “granata”. Marko Fasone është gati të ulë pretendimet e presidentit të Torinos, Urbano Kairo (i cili kërkon të paktën 100 milionë euro për kartonin e sulmuesit italian), duke përfshirë në marrëveshje plot tre lojtarë.
Këta lojtarë janë: portieri Gabriel, mbrojtësi i krahut Luka Antoneli dhe mesfushori Juraj Kuçka. Fasone shpreson shumë te kjo marrëveshje, pasi këta tre lojtarë pëlqehen shumë nga ana e trajnerit aktual të Torinos, Sinisha Mihajloviç.Tre lojtarë, por jo vetëm: Sipas informacioneve, oferta e Milanit përfshin edhe 70 milionë euro kesh. Por kuqezinjtë duhet të nxitojnë për ta mbyllur këtë tratativë, pasi për sulmuesin kanë hyrë në garë edhe disa ekipe të tjera, ndër ta edhe Atletiko Madridi, që ka ofruar dje 60 milionë euro për ish-sulmuesin e Palermos.