16 janar 2015 –  Milani vazhdon punën për kompletimin e paketës sulmuese ku Granit Xhaka kthehet në objektiv kryesor. Zviceriani me origjinë kosovare rinovoi gjatë javëve të fundit me Borussia Mounchengladbach, por kjo nuk e pengon Filipo Inzaghin t'i kërkojë administratorit të deleguar, Adriano Galliani, transferimin e mesfushorit të avancuar. Fillimisht, klubi milanez vlerësoi Basellin e Atalantas, por objektivi i vërtetë është pikërisht Xhaka, i cili është ndjekur gjatë muajve të verës edhe nga Interi e Napoli. Lucien Favre e konsideron lojtarin e kombëtares së Petkoviç një pikë të palëvizshme në formacionin e tij, por një ofertë bindëse nga Milani mund të ndryshojë mendjen e drejtuesve të Borussias.

Vlera e kartonit të Xhakës shkon deri në 9 milionë Euro. Bisedimet për të mund të nisin gjatë ditëve të ardhshme, por në "Milanello" parashikojnë edhe lëvizje të tjera në rast dështimi. Axel Witsel mbetet ende në radarët e Gallianit që po vlerëson alternativat për ta shkëputur nga Zenit St. Peterburg. Mesfushori belg ka një kontratë afatgjatë me skuadrën ruse, e cila nuk kërkon ta humbasë për një shumë modeste pasi disa sezone më parë e bleu nga Benfica për plot 40 milionë Euro. Në rastin e Witsel, Milani duhet të mendojë një strategji të shoqëruar me një ofertë bindëse për ekipin nga qyteti perandorak edhe pse Witsel ka zhgënjyer me paraqitjet e tij te Zeniti ku drejtuesit kishin të tjera pritshmëri për të.