Pasi kanë qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë, pronarët e rinj të Milanit kanë vendosur të flasin, madje me fakte, duke derdhur dje 85 milionë euro në arkën e klubit kuqezi. Ky ishte kësti i dytë që shoqëria kineze “Sine Europe Sports” derdh në arkën e Milanit dhe tashmë për kuqezinjtë pritet një epokë e re.

Ai që e konfirmon këtë është Li Yonghong, presidenti i shoqërisë kineze, i cili sot ka dhënë edhe një mesazh për tifozerinë e Milanit, duke premtuar se nuk do të kursehet në asgjë.

“Lajmi për pagesën e këstit të dytë është një konfirmim i investimit që ne do të bëjmë te Milani, për ta kthyer këtë ekip sërish të lavdishëm, jo vetëm në Itali dhe Europë, por në gjithë botën. Ne sapo shkruam kapitullin e parë. Për gjenerata me radhë, Milani i Silvio Berlusconit ka përfaqësuar një ekip të lavdishëm dhe me trofe. Objektivi ynë është ta kthejmë këtë ekip sërish aty ky i takon, mes skuadrave më të mira në botë, duke afruar edhe lojtarët më të mirë”, thanë pronarët e rinj.