4 prill 2014 – 11 prilli mund të jetë historike për sa i për ket së ardhmes së klubit të Milanit, pasi pikërisht në këtë datë është parashikuar rikthimi i Barbara Berluskonit nga Lindja e Mesme. Vajza e “bosit” të kuqezinjve më datë 6 prill do të niset nga Milano, për t’u rikthyer pesë ditë më vonë. Pritet që udhëtimi i saj të mund të rezervojë skenarë të rëndësishëm për sa i përket së ardhmes afatshkurtër të klubit italian. Udhëtimi drejt Lindjes së Mesme ka një objektiv të përcaktuar: administratorja e klubit pritet të nënshkruajë disa marrëveshje shumë të rëndësishme ekonomike. Në këtë udhëtim ajo do të jetë e shoqëruar nga drejtori i ri Xhep Kalma, i cili do të merret me anën e marketingut, si dhe nga drejtori i shitjeve Mauro Tavola (të dy të prezantuar gjatë inaugurimit të selisë së re). Itinerari i këtij udhëtimi pesëditor është studiuar me imtësi. Etapa e parë përfshin takimin në Dubai me drejtuesit e kompanisë “Fly Emirates”. Milani do t’u propozojë miliarderëve nga Dubai rinovimin e kontratës me këtë sponsor, pasi kontrata aktuale prej 12 milionë eurosh plus premiot është drejt skadencës. Objektivi primar është rinovimi i kontratës me të njëjtat shifra, si dhe të forcohet gjithnjë e më shumë bashkëpunimi dypalësh. Etapa e dytë, në Abu Dabi, ku është ndërtuar “Ferrari World”, që ka pasur një sukses të madh sa i përket marketingut. Do të flitet mbi të gjitha për aspektet komerciale, që lidhen me përhapjen e markës “Milan” në të gjithë botën, por edhe për mundësitë e krijimit të një partneriteti për ndërtimin e stadiumit të ri, me sigurimin e 20 deri 30% të paketës aksionare. Krijimi i impiantit personal shihet si një etapë mjaft e rëndësishme, kjo pasi mund të afrohet disa sponsorë. Objektivi i Barbara Berluskonit është që nga shitja e minorancës së klubit të arkëtojë 150 milionë, shumë që do të mundësojë konkretizimin me sukses të planeve. Ndërsa, synimi final është arritja e një marrëveshje me një sponsor prestigjioz japonez, për ta lidhur emrin Milan me atë të Milanos, qytetit të elegancës dhe suksesit.
/Panorama-Sport/